11.8 C
Skopje
Wednesday, November 5, 2025

VLEN drejtuar Arsovskës: Pse i gjithë aparati i Qytetit të Shkupit hesht kur bëhet fjalë për Blerim Bexhetin

Vetëm para disa ditësh, në konferencën tonë të parë për shtyp më 3 qershor, e thirrëm publikisht kryetaren Danella Arsovska që më në fund të tregojë se kush është pronari i vërtetë i objektit të madh të ndërtuar pa leje në Saraj dhe pse Qyteti i Shkupit nuk ka ndërmarr asgjë kundër perandorisë urbane të mikut të saj, Blerim Bexheti.
Në vend të përgjigjes, morëm heshtje! Sot i drejtohemi sërish, me fakte të reja që e bëjnë heshtjen e saj edhe më të dyshimtë.
Znj. Arsovska, nuk u deklaruat as me një fjalë të vetme, a po mbroni një interes privat apo një interes personal të lidhur me Blerim Bexhetin? Për kë keni dhënë betim për punë, për qytetarët e Shkupit apo për perandorinë e egër të biznesit të mikut tuaj të ngushtë Blerim Bexheti? Heshtja ju bën bashkëpunëtore. Ne e dimë që jeni, por tani po e mësojnë edhe qytetarët.
Pesë pika konkrete që kërkojnë përgjigje të qartë nga ju:
Dokumentet e reja tregojnë qartë:
Ekstrakti nga plani urbanistik i datës 19 Shtator i vitit 2022 është kontestuar. A ekziston një procedurë shtetërore për anulimin e tij, a është anuluar dhe pse Qyteti i Shkupit nuk i është bashkuar kësaj nisme?
Është kryer një kontroll inspektues. Ku është procesverbali, kush është inspektori dhe kush po e mban në sirtar? Nga çfarë keni frikë?
Leja e ndërtimit është dashur të anulohet menjëherë pas anulimit të ekstraktit. A e kanë bërë këtë Komuna e Sarajit dhe Qyteti i Shkupit, apo dikush po ushtron presion që ndërtimi të vazhdoj?
Kompania ndërtuese ka mbetur pa licencë. Si është e mundur që një firmë pa licencë vazhdon të ndërtojë pa asnjë reagim nga shërbimet e qytetit?
Kadastra është njoftuar për regjistrimin e paligjshëm. A është fshirë ai regjistrim, apo po heshtni që objekti të bëhet një “fakt në terren”?
Këto pesë pika nuk janë një listë e re kërkesash, ato janë vazhdim logjik i pyetjeve që tashmë jua kemi parashtruar. Përgjigjja juaj ose refuzimi për të dhënë përgjigje do të tregojë nëse jeni një kryetare që mbron interesin publik apo një avokate e një karteli të biznesit privat.
Kërkesa jonë është e qartë:
Publikoni të gjitha dokumentet, vendimet, procesverbalet e inspektimit, shkresat me Kadastër dhe me ministritë përkatëse dhe shpjegoni pse i gjithë aparati i Qytetit të Shkupit hesht kur bëhet fjalë për Blerim Bexhetin.
Zonja Arsovska, pyetja është e thjeshtë, çfarë po mbroni, për kë jeni duke punuar dhe nga çfarë po ikni? Sa më gjatë të heshtni, aq më e qartë bëhet lidhja me perandorinë e egër të biznesit në Saraj.
VLEN nuk do të tërhiqet derisa institucionet të veprojnë dhe opinioni të marrë përgjigjet që meriton.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit