Koalicioni VLEN ka uruar të gjithë besimtarët e fesë islame me rastin e festës së Kurban Bajramit.
Në urimin e VLEN-it thonë se kjo festë na mëson se njeriu është mbi të gjitha.
Urimi i plotë:
Në këtë ditë të madhe besimi e sakrifice, VLEN u përcjell urimet më të përzemërta të gjithë besimtarëve myslimanë me rastin e Kurban Bajramit.
Kjo festë nuk është thjesht therje kurbani. Është gjak i bagëtive që bie për të kujtuar sakrificën, përkushtimin ndaj Zotit dhe kujdesin për njeriun. Është një thirrje e fuqishme për të mos harruar të varfrit, jetimët, të vetmuarit e të harruarit nga shoqëria. Bajrami është mundësi për të ndarë jo vetëm mishin, por edhe dashurinë, kujdesin, respektin.
Në një shoqëri që shpesh nxit egoizmin dhe harresën për tjetrin, Kurban Bajrami na mëson se njeriu është mbi gjithçka. Dhe pikërisht këtë besim bartim edhe ne si VLEN, përkushtimin ndaj njeriut, pavarësisht prejardhjes, pozitës apo mundësive.


                                    



