17.8 C
Skopje
Wednesday, October 15, 2025

Nikollovski: Qeveria e miratoi Marrëveshjen me Britaninë e Madhe, të enjtën në Londër do ta nënshkruajmë!

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, në konferencën për shtyp të sotme njoftoi se Qeveria e ka miratuar Marrëveshjen për Partneritet Strategjik me Mbretërinë e Bashkuar dhe paralajmëroi se kjo Marrëveshje do të nënshkruhet të enjten në Londër nga një delegacion i kryesuar nga vetë zëvendëskryeministri Nikolloski.

Në vijim është fjalimi i plotë i zëvendëskryeministrit Nikolloski:

“Një nga vendimet në seancë është që Qeveria e Republikës së Maqedonisë ta pranojë Marrëveshjen ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar në lidhje me partneritetin për realizimin e projekteve infrastrukturore, pra Marrëveshjen Qeveri me Qeveri.

Qëllimi i Marrëveshjes është të vendosë një partneritet për mbështetjen e realizimit të projekteve infrastrukturore në sektorët e shëndetësisë, transportit, teknologjisë, energjetikës, transformimit digjital dhe sektorëve të tjerë kritikë në Republikën e Maqedonisë.

Grupi fillestar i projekteve është përmendur tashmë në opinion në fushën e shëndetësisë dhe të transportit. Gjithashtu për mua është shumë e rëndësishme shkëmbimi i njohurive dhe praktikave përmes ekspertizës nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar dhe subjektet afariste britanike për mbështetjen e realizimit të projekteve, por edhe për transformimin e administratës publike dhe sektorit privat, me ekspertizë nga komuniteti afarist britanik, por edhe nga agjencitë qeveritare.

Do të shkëmbehen njohuri në fushën e shëndetësisë, transportit, teknologjisë, energjetikës dhe sektorëve kyç kritikë, dhe për ndërtimin e kapaciteteve të Qeverisë së Maqedonisë do të përdoret ekspertiza nga Mbretëria e Bashkuar. Ky bashkëpunim do të zhvillohet në përputhje me legjislacionin, rregullat dhe politikat e vlefshme të secilit prej dy vendeve. Pjesëmarrësit do të punojnë së bashku për të eksploruar mundësitë për mobilizimin e fondeve për financimin e projekteve dhe, çka është shumë e rëndësishme, Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar konfirmon interesin dhe kapacitetin përmes Instrumentit për Financimin e Eksportit (UKEF), përmes të cilit vihen në dispozicion 5 miliardë funta apo 6 miliardë euro për realizimin e projekteve në Maqedoni. Theksoj se ky do të jetë financim i bazuar në projekte dhe do të ndodhë ekskluzivisht përmes realizimit të projekteve. Kjo është një kornizë që nuk do të thotë se do të shfrytëzohet plotësisht, por është një mundësi në dispozicion që mund të përdoret.

Jam krenar që kemi marrë një ftesë zyrtare nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, dhe ftesë për mua personalisht për ta nënshkruar këtë Marrëveshje Qeveri me Qeveri më 22 maj, që është të enjten. Ju informoj se Qeveria më ka autorizuar ta nënshkruaj këtë marrëveshje. Do të udhëheq një delegacion qeveritar në të cilin, përveç meje, do të jenë edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Mjedisit Jetësor Izet Mexhiti, ministrja e Arsimit Vesna Janevska, drejtori i Ndërmarrjes Publike për Infrastrukturën Hekurudhore Siniša Ivanovski dhe bashkëpunëtorë të tjerë. Mendoj se do të kemi dy ditë të frytshme për bashkëpunim. Nesër kemi takime me ministrin e Brendshëm dhe ministrin e Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar, si dhe me përfaqësues nga Instrumenti për Financim. Të enjten është ceremonia kryesore, dhe po atë ditë do të kem një takim edhe me drejtorin e Ryanair, nga i cili presim të dalin linja të reja ajrore drejt Shkupit.

Mendoj se bëhet fjalë për një moment historik, një datë që do të mbetet në analet e historisë së Maqedonisë, 22 maji do të jetë një datë që do të përmendet gjatë në historinë Maqedonisë, sepse bëhet fjalë për marrëveshjen më të madhe që Maqedonia e ka arritur me ndonjë shtet.

Nuk bëhet fjalë për çfarëdo shteti, por për fuqinë e dytë botërore, një shtet me të cilin kemi bashkëpunim të shkëlqyer në kuadër të Aleancës NATO, pjesë e civilizimit perëndimor, që vë në dispozicion fondet më të mëdha, dhe për mua më i rëndësishmi është momenti politik, sepse po hyjmë në një partneritet me një aleat kyç perëndimor, gjë që qartë e përcakton politikën e Qeverisë, por gjithashtu edhe pozicionin e Maqedonisë si një shtet i orientuar drejt Perëndimit dhe një shtet që i respekton vlerat euroatlantike. Jam gjithashtu i lumtur që Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar se ka arritur marrëveshje me BE-në, që do të thotë se në një paketë kemi tre aleatët kyç të Maqedonisë – BE, Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA-në”, theksoi zëvendëskryeministri Nikolloski.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit