Gjykata Kushtetuese sot e pranoi letrën nga kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me të cilin dorëzohet Vendimin i datës 15.05.2025 i Gjykatës Administrative të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Gjykata Kushtetuese mbeti pa një gjyqtar pasi Gjykata Administrative anuloi vendimin e Parlamentit për zgjedhjen e Elizabeta Dukovskës si gjyqtare kushtetuese nga dy vjet më parë. Dukovska u propozua si gjyqtare kushtetuese nga Këshilli Gjyqësor, i udhëhequr atëherë nga Vesna Dameva, transmeton Portalb.mk.
“Gjykata Kushtetuese nuk komenton Vendimin e Gjykatës Administrative. Veprimet e të gjitha organeve të përfshira, siç janë Këshilli Gjyqësor, Kuvendi dhe gjykatat administrative në këtë rast, kanë shkaktuar një precedent ligjor që ka krijuar një situatë ligjore me të cilën nuk është përballur asnjë përbërje e mëparshme e Gjykatës Kushtetuese. Një precedent i tillë ligjor padyshim krijon implikime ligjore në veprimet e Gjykatës Kushtetuese në përputhje me kompetencat e saj”, thonë nga Gjykata Kushtetuese.