Samiti Ekonomik Ballkanik “Rumelisiad” që u mbajt sot ishte një platformë e rëndësishme ku u theksua nevoja për forcimin e partneriteteve ekonomike rajonale dhe roli strategjik i investimeve të huaja në ndërtimin e një ekonomie të qëndrueshme. Pikërisht këto parime, bashkëpunimi, zhvillimi dhe integrimi ekonomik, janë udhërrëfyesit tanë në politikën ekonomike.
Në këtë drejtim, Qeveria e Maqedonisë së Veriut mbetet e përkushtuar për ta shndërruar vendin në një destinacion tërheqës për investitorët e huaj, duke ofruar stabilitet politik e ekonomik, mbështetje institucionale dhe një klimë transparente e bashkëpunuese për biznesin. Çdo investim i tillë nuk është vetëm kontribut ekonomik, por një hap konkret drejt një ekonomie më konkurruese dhe një standardi më të lartë jetese për qytetarët tanë.
Bashkëpunimi me Turqinë zë një vend të veçantë në këtë vizion. Investimet turke nuk mbështeten vetëm në logjikën e tregut, por mbartin edhe një ndjeshmëri të thellë për nevojat lokale dhe krijojnë ura të forta bashkëpunimi me komunitetet vendore. Kjo është një marrëdhënie njerëzore, një lidhje që shtrihet në shkolla, në jetën kulturore e sociale, dhe që pasqyron rolin e pazëvendësueshëm të komunitetit turk në vendin tonë. Gjithashtu kjo është çështje përkatësie, drejtësie dhe respekti.
Në këtë kontekst, hapja e fabrikës Shahterm është një shembull konkret i këtij bashkëpunimi të suksesshëm. Ky investim është dëshmi e qartë e asaj që synojmë si shtet: tërheqjen e investimeve cilësore që sjellin zhvillim ekonomik, hapje të vendeve të reja të punës dhe rritje të kapaciteteve prodhuese. Shahterm nuk është thjesht një kompani, është partneri ynë në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për Maqedoninë e Veriut.