Banorët e fshatit Sveta Petka po përballen me një ndërprerje të furnizimit me ujë dhe energji elektrike, pas një defekti që ndodhi në rrjetin e shpërndarjes në orët e para të mëngjesit si pasojë e vjedhjes së pakontrolluar të energjisë elektrike.
Informacioni për ndërprerjen u konfirmua nga qeveria lokale dhe kompania e energjisë Elektrodistribuimi.
Kjo krizë prek drejtpërdrejt 150 amvisëri që aktualisht janë pa kushte themelore jetese. Pompat e ujit që funksionojnë me energji elektrike i kanë lënë banorët në një gjendje të mjerueshme.
“Për shkak të lidhjeve të vazhdueshme të paligjshme dhe konsumit të pakontrolluar të energjisë elektrike, sot ndodhi një defekt më serioz në rrjetin në pronësi të Elektrodistribuimit.
Për momentin, të gjithë konsumatorët në fshatin Sveta Petka nuk kanë furnizim me energji elektrike.
Ekipet e Elektrodistribuimit dolën menjëherë në terren për sanim, por u penguan nga ana e një pjese të banorëve.
Për shkak të kërcënimeve verbale dhe pamundësisë për të punuar, ekipet janë tërhequr nga fshati”, tha Elektrodistribuimi.
Kompania shton se gjatë viteve janë përpjekur disa herë të rindërtojnë rrjetin në fshatin Sveta Petka dhe janë mbajtur takime me vendasit për këtë qëllim, por pa asnjë rezultat.
Sipas të dhënave, humbjet në fshat janë mbi 60%, ndërsa mbledhja e energjisë elektrike është vetëm 7%.





