Gjykata i shqyrton kërkesat sipas një rendi të caktuar, që merr parasysh rëndësinë dhe urgjencën e çështjeve të përfshira. Kjo do të thotë se, për shembull, rastet më serioze apo ato që shpërfaqin praninë e problemeve në masë më të madhe trajtohen me prioritet, që edhe shpjegon se pse për një kërkesë që është parashtruar më vonë mund të merret vendimi.
Rikujtojmë që në vitin 2017-të, Gjykata Supreme e riktheu në shkallë të parë lëndën, pasi i pranoi ankesat e palës mbrojtëse.
Lënda filloi nga e para dhe sipas aktgjykimit të shkallës së parë gjatë rigjykimit, i shqiptuar më 23 shkurt 2021, për rastin “Monstra”, gjegjësisht vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës, ashtu siç propozoi Prokuroria u shpallën fajtorë gjithsej 5 persona. Alil Demiri dhe Afrim Ismailloviq (të cilët janë në arrati në Kosovë) bashkë me Agim Ismailloviqin, u dënuan me burgim të përjetshëm për veprën “terrorizëm”, Fejzi Aziri u dënua me 15 vjet burg për “ndihmë”, ndërkaq Haki Aziri u dënua me 9 vjet burg, gjithashtu për “ndihmë”. I akuzuari Sami Luta u shpall i pafajshëm, pasi që Prokuroria e tërhoqi akuzën në mungesë të provave.
Më 6 shtator 2022, Gjykata e Apelit në Shkup u shpall vendimi për rastin “Monstra” dhe sipas të njëjtit, janë hedhur poshtë ankesat e të akuzuarve dhe njëkohësisht është miratuar vendimi i shkallës së parë, gjegjësisht Gjykatës Penale të Shkupit.
Të dënuarit u ankuan në Supreme, por Supremja i hodhi poshtë ankesat e tyre.
Të dënuarit dhe familjarët e tyre e mohojnë përfshirjen e tyre në këtë ngjarje dhe akuzojnë funksionarë shtetërorë për inskenim.
Vrasja e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës ku mbetën të vrarë Filip Sllavkovski (18), Aleksandar Nаqevski (18), Cvetanço Acеvski (18), Kire Tërpkovski (20) dhe Borçe Stevkovski (45) ka ndodhur më 12 prill 2012-të dhe është njëri prej rasteve më makabre dhe më të mistershme që kanë ndodhur ndonjëherë në Maqedoninë e Veriut.