93-vjetori i vdekjes së mësuesit të parë shqiptar të dokumentuar në Kosovë, Dom Mikel Tarabulluzi nga Letnica

Në 93-vjetorin e kalimit në amshim, përkujtojmë Dom Mikel Tarabulluzin, meshtarin, mësuesin dhe atdhetarin që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e arsimit dhe të Kishës në Kosovë.

Përgatiti Albert Gjoni

Dom Mikel Tarabulluzi lindi më 5 prill 1868 në Prizren. Studimet filozofike dhe teologjike i kreu në Kolegjin Papnor të Shkodrës dhe u shugurua meshtar në vitin 1890 nga arqipeshkvi Monsinjor Andrea Logoreci.

Shërbeu fillimisht si famullitar në Pejë, në famullinë “Shën Katarina”, dhe më pas, në fillim të vitit 1894, u emërua famullitar në famullinë e “Zojës së Letnicës”, ku shërbeu për rreth 35 vite. Ai u kujdes jo vetëm për Letnicën, por edhe për fshatrat përreth, duke qenë bari i përkushtuar i të gjithë besimtarëve pa dallim kombësie.

Letnica kishte një traditë arsimore që daton që nga viti 1584. Kjo frymë u forcua nga paraardhësit e tij, ndër ta Dom Bartolome Fantella, njohës i shkëlqyer i gjuhës shqipe dhe mësues i përkushtuar. Në këtë vazhdimësi, Dom Mikeli zhvilloi më tej arsimin dhe kulturën, duke punuar për ngritjen shpirtërore dhe kombëtare të banorëve të Letnicës dhe të fshatrave përreth.

Më 1 mars 1905, në një kohë kur identiteti shqiptar përndiqej, ai themeloi zyrtarisht Shkollën Shqipe në Stubëll. Shkolla kishte funksionuar fshehurazi që nga viti 1896 si paralelë e asaj në Letnicë. Kjo shkollë tash njihet edhe si shkolla e parë shqiptare në Kosovë. Përveç shërbesës meshtarake, ai ishte edhe mësues i drejtpërdrejtë i fëmijëve shqiptarë, duke u siguruar që drita e dijes të mos shuhej.
Përkushtimi i tij ndaj arsimit dhe kombit i solli përndjekje, arrestime dhe tortura nga Mbretëria Serbo Malazeze dhe më pas nga ajo Serbo Kroate Sllovene. Megjithatë, ai nuk u tërhoq dhe vazhdoi misionin e tij me besim dhe qëndrueshmëri.

Dom Mikel Tarabulluzi njihet si krijues i famullisë së Stubllës dhe si figurë kyçe e arsimit shqiptar në Kosovë, një nga mësuesit e parë shqiptarë të dokumentuar në vendin tonë.

Më 22 shkurt 1933 ai kaloi në amshim dhe u varros në Letnicë, pranë shenjtnorës, aty ku pushojnë eshtrat e tij.

Më 6 tetor 2023, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se varri i Dom Mikel Tarabulluzit është shtuar në listën e Trashëgimisë Kulturore, duke e vulosur përjetësisht kujtimin dhe vlerën e tij për Letnicën dhe për mbarë Kosovën./KultPlus.com

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit