Objekti i Qendrës për Shëndet Publik në Gostivar vazhdon të jetë në gjendje të mjerueshme për sa i përket infrastrukturës. Objekti i kësaj Qendre shëndetësore pothuajse asnjëherë nuk është renovuar. Ky institucion shëndetësor ka një fasadë të dëmtuar dhe pamje aspak të mirë, edhe pse aty ofrohen disa shërbime shëndetësore. Është ndërtuar para 80 viteve dhe asnjëherë nuk janë bërë investime serioze për të përmirësuar gjendjen e objektit. Autoritetet e pushtetit qendror premtojnë përmirësimin e gjendjes, por për këtë do të duhet të pritet viti i ardhshëm. Nga ana tjetër, ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, thotë se tërësisht ky objekt do të rrënohet dhe do të fillojë të ndërtohet vitin e ardhshëm.
“Plani është që objekti i vjetër të prishet dhe në atë vend të vendosen më shumë institucione dhe jo vetëm epidemiologjia, por aty të vendoset bio-kimia, terapia fizikale, ose disa njësi që nuk kanë vend në Spitalin e Përgjithshëm në Gostivar, pra të vendosen në objektin e ri. Përderisa nuk do të jemi këtu që të promovojmë projektin, nuk mund të jap informacione shtesë”, tha ministri i Taravari.
Krahas kësaj, nga ana e drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm të Gostivarit, Argjend Muça, është theksuar se pritet që në të ardhmen – të ketë dy investime më të mëdha në spital. Bëhet fjalë për renovimin e repartit të Gjinekologjisë dhe rikostruimin e njërës nga sallat e operimit.