E themeluar 76 vjet më parë me fillimin e Luftës së Ftohtë, Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior NATO u bë organizata kryesore udhëheqëse e mbrojtjes së përbashkët me 32 vende anëtare në Evropë dhe Amerikën e Veriut.
Më 4 prill 1949 në Uashington, 12 vendet anëtare themeluese nënshkruan Traktatin e Atlantikut të Veriut: Belgjika, Kanadaja, Danimarka, Franca, Islanda, Italia, Luksemburgu, Holanda, Norvegjia, Portugalia, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara.
Aleanca synonte të luftonte kundër kërcënimit sovjetik dhe bazohej në parimin e solidaritetit të ndërsjellë midis të gjithë anëtarëve të tij, siç përcaktohet në nenin 5: “Palët bien dakord që një sulm i armatosur kundër një ose më shumë prej tyre, në Evropë ose në Amerikën e Veriut, do të konsiderohet si një sulm i drejtuar kundër të gjitha palëve”.
Gjatë viteve u bënë pjesë edhe Greqia, Turqia (1952), Gjermania (1955) dhe Spanja (1982). Pasi BRSS u shpërbë në vitin 1991, një fazë e re po krijohej për Aleancën dhe në maj 1997, NATO-ja dhe Rusia do të nënshkruanin “Aktin Themelues”, raporton KosovaPress.
1994: luftimet e para
NATO hapi zjarr për herë të parë më 28 shkurt 1994 duke gjuajtur katër avionë serbë në një zonë të ndaluar fluturimi të OKB-së në Bosnje-Hercegovinë.
Më 16 dhjetor 1995, ajo zhvilloi operacionin e saj të parë në Bosnjë, ku shpërndau 60 000 trupa të forcave të IFOR-it.
Më 24 mars 1999, NATO nisi një fushatë bombardimi ajror për të ndalur shtypjen serbe kundër shqiptarëve të Kosovës. Kjo fushatë 78-ditore, pa mandatin e OKB-së, rezultoi me tërheqjen e serbëve nga provinca, që kaloi nën administrimin e OKB-së, një forcë e NATO-s (KFOR) prej 40 000 trupash të cilët do të ruanin paqen.
Parlamenti i Kosovës shpalli pavarësinë e kësaj ish-krahine serbe në shkurt të vitit 2008.
Në vitin 1999, NATO mirëpriti vendet e para të Evropës ish-komuniste: Republikën Çeke, Hungarinë dhe Poloninë.