Sot përkujtohet një nga momentet më ikonike në historinë e muzikës amerikane. Pikërisht në këtë ditë të vitit 1968, këngëtari dhe kantautori legjendar Johnny Cash regjistroi albumin e famshëm “Johnny Cash at Folsom Prison” gjatë një koncerti live në burgun Folsom Prison në Kaliforni, përpara rreth 2,000 të burgosurve.
Ky koncert ishte i pazakontë për kohën dhe thellësisht simbolik. Cash, i njohur për këngët e tij që trajtonin temat e dhimbjes, pendesës, lirisë dhe drejtësisë shoqërore, zgjodhi të performonte pikërisht para një audience të burgosurish, duke krijuar një lidhje të rrallë emocionale mes artistit dhe publikut.
Albumi u regjistrua drejtpërdrejt gjatë performancës dhe përfshinte këngë tashmë të famshme si “Folsom Prison Blues”, “Cocaine Blues” dhe “I Still Miss Someone”. Reagimi i publikut dhe atmosfera autentike e koncertit i dhanë albumit një intensitet të veçantë, duke e kthyer atë në një nga regjistrimet live më të rëndësishme në historinë e muzikës, shkruan KultPlus.
Johnny Cash at Folsom Prison jo vetëm që rilindte karrierën e Cash-it në atë periudhë, por ndryshoi mënyrën se si perceptohej muzika country dhe roli social i artistëve, duke treguar se arti mund të shërbejë si urë mes botëve të ndara dhe si zë për ata që nuk dëgjohen.
Sot, më shumë se pesë dekada më vonë, ky koncert vazhdon të mbetet simbol i humanizmit, rebelimit artistik dhe fuqisë së muzikës për të kapërcyer mure edhe ato të një burgu./KultPlus.com



