13.8 C
Skopje
Saturday, October 11, 2025

5000 policë nga Beogradi për sigurinë, rikthehet flamuri kuqezi në stadium/ Gjithçka nga atmosfera para ndeshjes Serbi-Shqipëri

Top Channel ju ka shoqëruar këtë të shtunë me ngjarjet më kryesore përpara startit të takimit, nga atmosfera në Leskovc, deri në shoqërimin e ekipit Kombëtar në stadiumin “Duboçiça”, ku do të luhet sfida historike.

Për tifozët shqiptarë ka menduar DigitAlb, që do të transmetojë ndeshjen drejtpërsëdrejti nga Serbia duke nisur nga ora 20:45.

20:23 “Gjithçka ose asgjë”/ Ish-mbrojtësi Fakaj paralajmëron Shqipërinë: Vetëm fitorja na mban gjallë

Ish-mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Ervin Fakaj, e sheh ndeshjen ndaj Serbisë si një sfidë vendimtare për fatin e kuqezinjve në kualifikueset e Botërorit 2026.

Sipas tij, në këtë duel nuk ka vend për gabime dhe vetëm fitorja mund ta mbajë Shqipërinë në garë për një biletë drejt Kupës së Botës.

20:03 Video/ Tirana kuqezi, tifozët shqiptarë mbushin sheshin “Italia”, festë me daulle e muzikë

Jo vetëm në Leskovc, por edhe në Tiranë është ndezur atmosfera nga tifozët shqiptarë.

Tifozët Kuq e Zi kanë organizuar një event ku të gjithë dashamirësit dhe mbështetësit e Kombëtares mund ta ndjekin live sfidën në sheshin “Italia”, pranë “Arenës Kombëtare”.

19:52 Video/ Gjithçka gati për Serbinë, Federata Shqiptare zbulon fanellat që do të veshin yjet kuqezi mbrëmjen e sotme

Pas publikimit të formacionit zyrtar, Federata Shqiptare e Futbollit ka zbuluar dhe fanellat të cilat do të veshin lojtarët në fushë.

Bëhet fjalë për fanellën e bardhë, e njëjta ngjyrë si ajo që lojtarët veshën 11 vite më parë në Beograd, aty ku morën fitoren në tavolinë dhe që ndihmuan Shqipërinë të arrinte kualifikimin historik në Europian.

19:42 Të rrethuar nga forca të shumta policie, Kombëtarja mbërrin në stadiumin e Leskovcit

Në pamjet e mundësuara për Top Channel, shihet momenti kur skuadra ka mbërritur në stadium, të rrethuar nga forcat e shumta policore dhe speciale që e kanë shoqëruar ekipin nga hoteli në Nish deri në qytetin e Leskovcit.

19:35 Sfidë historike edhe për Elseid Hysajn, mbrojtësi i Kombëtares shqiptare barazon rekordin e ish-kapitenit Lorik Cana

lseid Hysaj vazhdon të shkruajë historinë me fanellën kuqezi.

Mbrojtësi i djathtë i Lazio-s do të jetë titullar edhe sonte në sfidën e shumëpritur ndaj Serbisë, e vlefshme për Grupin K të kualifikueseve të Botërorit 2026, me nisje në orën 20:45.

Me këtë paraqitje, 31-vjeçari nga Shkodra arrin shifrën e 93-të me Kombëtaren shqiptare, duke e barazuar rekordin historik të Lorik Canës, ish-kapitenit legjendar të kuqezinjve. Nëse vazhdon në këtë formë, Hysaj pritet të bëhet shumë shpejt lojtari me më së shumti paraqitje në historinë e Kombëtares.

19:19 Publikohen formacionet zyrtare/ Sylvinho bën ndryshimin e papritur në sulm, Serbia zbulon 11-shen

Në portë do të jetë Strakosha. Mbrojtja do të përbëhet nga Hysaj, ajeti, Gjimshiti dhe Mitaj. Në mesfushë është treshja Asllani, Laçi dhe Shehu. Ndryshimi i vetëm vjen nga krahu i majtë i sulmit, aty ku nuk do të jetë as Bajrami dhe as Hoxha, por Myrto Uzuni, ndërsa krahu i djathtë i është besuar Brojës. Në majën e sulmit do të jetë sërish Manaj.

Ndërkohë edhe Serbia ka publikuar 11-shen e saj me rreshtimin 3-5-2.

18:42 Video/ Gati për Leskovc, ekipi Kombëtar niset për në stadium i rrethuar me polici dhe forcat speciale

Pak orë na ndajnë nga “finalja” e madhe mes Serbisë dhe Shqipërisë, aty ku kuqezinjtë luajnë ndeshjen e tyre më të rëndësishme në këtë fushatë kualifikuese.

Në pamjet e siguruara nga gazetari i Top Channel, Endi Tufa, shihet që jashtë hotelit ku është grumbulluar Kombëtarja, ndodhen forcat e policisë, xhandarmeri dhe forca speciale, të cilat do të shoqërojnë ekipin nga qyteti i Nish për në stadiumin e Leskovcit.

17:10 Kualifikueset/ Nuk ka fitues në duelin e rivalëve të Shqipërisë, dy vendet e fundit të Grupit K ndajnë pikët

Pak para startit të duelit Serbi-Shqipëri, dy ekipe të tjera të Grupit K zbritën këtë të shtunë në fushë.

Letonia dhe Andorra ndanë pikët në një barazim spektakolar me rezultatin 2-2.

Me këtë barazim, Letonia shkon në kuotën e 5 pikëve, ndërsa Andorra merr pikën e parë në këtë fushatë kualifikuese.

13:26  Foto/ E hoqën për të shmangur incidentet, Fedrata Serbe rikthen flamurin shqiptar në stadiumin ku do të luhet ndeshja

Federata Serbe ka rikthyer flamurin shqiptar në stadiumin “Dubocica” ku do të luhet takimi mes Serbisë dhe Shqipërisë. Një ditë më parë, gjatë stërvitjes së Kombëtares shqiptare në këtë stadium, flamuri kuqezi nuk ishte vendosur.

12:34  Çdo gjë gati për Serbinë, zbulohet lojtari i Kombëtares që do ta ndjekë duelin nga tribuna

Shqipëria përballet sonte me Serbinë në një nga ndeshjet më të rëndësishme të historisë së saj të futbollit.
Dueli që do të luhet në orën 20:45 dhe që do teansmetohet drejtpërsëdrejti në DigitAlb, pritet të jetë vendimtar për fatin e kuqezinjve në garën drejt Botërorit 2026, me ekipin e Sylvinhos që kërkon të mbajë gjallë ëndrrën e madhe.

12:29 Video/ Serbët nuk “ngopen” me provokime, vendosin hartën e Kosovës me flamurin e Serbisë në qytetin ku ndodhet hoteli i Kombëtares shqiptare

Teksa pak orë na ndajnë nga “finalja” e Shqipërisë në Leskovc kundër Serbisë, këta të fundit duket se nuk i kursejnë ende provokimet.
Përveç heqjes së flamurit nga stadiumi, një gjest që ata e cilësuan vetëm si një veprim për të shmangur incidentet e pakëndshme, kësaj radhe ishin tifozët vendas që kanë provokuar ekipin Kombëtar shqiptar.

10:49 Bastet/ Koeficientët favorizojnë vendasit, ja sa kuotohet fitorja e Shqipërisë në tokën serbe

Serbia dhe Shqipëria përballen sonte në Leskovc në një ndeshje të zjarrtë të kualifikueseve të Botërorit 2026, dhe bookmakers-at e kanë bërë të qartë se presin një sfidë të luftuar deri në fund. Sipas koeficienteve të fundit, fitorja e Serbisë vlerësohet me 1.70, duke e bërë skuadrën vendase favorit kryesor për tri pikët. Barazimi kuotohet me 3.40, ndërsa një fitore e Shqipërisë ka koeficientin 5.75, duke reflektuar një skenar më pak të mundshëm sipas tregut të basteve.

10:22 Përgatitjet për Serbi-Shqipëri, asnjë taksi pranë hotelit të Kombëtares shqiptare, rreth 5000 forca policie për të ruajtur rendin

Në kuadër të ndeshjes Seri-Shqipëri, janë shtuar masat për sigurinë e kombëtares shqiptare. Gazetari i Top Channel Endi Tufa raporton nga Serbia për detaje të reja lidhur me procedurat e sigurisë dhe kufizimet që po zbatohen për të siguruar rendin dhe organizimin e ndeshjes. ‘Asnjë taksi apo makinë nuk lejohet të dalë apo të vijë në hotel. Në çdo pikë kontrolli, ku ndodhen makinat e sigurisë, na kërkuan mjet identifikimi dhe kartën e dhomës së hotelit’, raporton Tufa.

10:07  Formacionet e mundshme/ Sylvinho i beson rreshtimit “bazë”, cilat janë 11-shet që priten të hedhin në fushë të dyja skuadrat

Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar dje në Leskovc seancën e fundit stërvitore përpara përballjes me Serbinë, një ndeshje që pritet me interes të madh nga tifozët kuqezi. Pas përfundimit të seancës, trajneri Sylvinho duket se ka hedhur dritë të plotë mbi 11-shen që do të zbresë në fushë mbrëmjen e sotme. Kuqezinjtë do të nisin me Strakoshën në portë. Katërshja mbrojtëse do të përbëhet nga kapiteni Hysaj në të djathtë, Ajeti e Gjimshiti në qendër dhe Mitaj në të majtë.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit