385 studentë shqiptarë kërkojnë që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe

Plot 385 studentë shqiptarë të fakulteteve juridike në Republikën e Maqedonisë së Veriut kanë nënshkruar një peticion për të kërkuar që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe, duke e cilësuar këtë si një kërkesë të drejtë dhe të garantuar me Kushtetutë.

Nisma është iniciuar nga studenti dhe ish-kryetari i Parlamentit Studentor, Mevlan Ademi, i cili prej vitesh ka ngritur këtë çështje si domosdoshmëri për barazi gjuhësore në një nga provimet më të rëndësishme për juristët e ardhshëm në vend. Sipas tij, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme ndër vite, institucionet përkatëse deri më tani nuk kanë reaguar ndaj kësaj kërkese.

“Për një kohë të gjatë kjo ka qenë një betejë individuale, por sot nuk jam më vetëm. Sot, 385 juristë të së ardhmes janë bashkuar për të kërkuar një të drejtë legjitime,” thuhet në deklaratë.

Peticioni është dorëzuar zyrtarisht në Ministrinë e Drejtësisë, Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve, Agjencinë për Zbatimin e Gjuhëve, Kuvendin e RMV-së si dhe në Qeverinë e RMV-së. Studentët presin që institucionet të marrin parasysh kërkesën e tyre dhe të ndërmarrin hapa konkretë për zbatimin e saj.

Iniciatorët e nismës theksojnë se kjo çështje nuk ka vetëm karakter studentor, por lidhet drejtpërdrejt me respektimin e të drejtave gjuhësore dhe barazisë në sistemin juridik të vendit.

Një falënderim i veçantë u është drejtuar studentëve dhe bashkëpunëtorëve që kontribuuan në realizimin e peticionit, veçanërisht Jon Selmani, Amra Hakiki dhe Yll Rustemi, si dhe çdo studenti që me nënshkrimin e tij e bëri këtë iniciativë realitet.

“Tani mbetet të shohim sa peshë ka zëri i rinisë,” përfundon deklarata.

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit