Më 27 janar shënohet Dita Ndërkombëtare Përkujtimore e Holokaustit, e shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 2005, për nder të viktimave të një prej krimeve më të rënda në historinë e njerëzimit.
Kjo datë lidhet drejtpërdrejt me çlirimin e kampit nazist të përqendrimit Auschwitz-Birkenau më 27 janar 1945, simbol i vuajtjes, shfarosjes dhe mizorisë së regjimit nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Kuptimi i Holokaustit
Fjala “holokaust” rrjedh nga greqishtja e lashtë dhe nënkupton “sakrificë të djegur plotësisht”. Para Luftës së Dytë Botërore, ky term përdorej për të përshkruar vdekjen e një numri të madh njerëzish.
Pas vitit 1945, fjala mori një kuptim të veçantë historik dhe u bë sinonim i përndjekjes dhe shfarosjes sistematike të hebrenjve evropianë, ku rreth 6 milionë hebrenj u vranë nga regjimi nazist dhe aleatët e tij, gjatë periudhës 1933–1945.
Hebrenjtë e quajnë këtë tragjedi me termin “Shoah”, që në gjuhën hebraike do të thotë “katastrofë”.
Roli i shqiptarëve në shpëtimin e hebrenjve
Një kapitull i ndritur i kësaj historie mbetet solidariteti dhe humanizmi i shqiptarëve, të cilët gjatë Luftës së Dytë Botërore strehuan dhe mbrojtën hebrenj të ardhur nga vende të ndryshme të Evropës, si dhe ata që jetonin në Kosovë dhe Shqipëri.
Të udhëhequr nga kodi i nderit dhe besës, shumë familje shqiptare rrezikuan jetën e tyre për të shpëtuar të tjerët, duke u bërë shembull unik në Evropë, pasi në fund të luftës numri i hebrenjve në Shqipëri ishte më i madh se para saj.
27 janari shërben jo vetëm për përkujtim, por edhe si thirrje universale për të mos harruar, për të luftuar urrejtjen, antisemitizmin, racizmin dhe çdo formë diskriminimi, në mënyrë që tragjedi të tilla të mos përsëriten kurrë më./KultPlus.com



