Komuna e Tetovës dhe Shoqata “Ana Agro” më 3 nëntor nënshkruan një marrëveshje me vlerë rreth 3 milion denarë, për trajtimin e qenve endacakë.
Sipas marrëveshjes komuna e Tetovës do të paguajë rreth 235 euro për trajtimin e një qeni endacak.
Nëse e krahasojmë me disa komuna tjera, Tetova shpenzon më shumë për këtë shërbim.
Komuna e Demir Hisarit një qen e trajton për 8 000 denarë pa TVSH, komuna e Strugës 3 466 denarë, Kërçova 7 021 denarë, ndërsa Ohri 9 119 denarë.
Por kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, thotë se bëhet fjalë për më shumë shërbime dhe nuk është e domosdoshme që të arrihet ai çmim.
“Bëhet fjalë për më shumë shërbime që janë në paketën e shërbimeve dhe jo detyrimisht çdo qen i merr ato trajtime, si mbas nevojës – nëse ka nevojë për vaksinim, kastrim apo çfarëdo nevoje. Kjo është një ofertë kornizë për angazhimin e operatorit privat, dhe nëse një qytet ka paraparë shumë më pak shërbime, sigurisht korniza do të jetë më e vogël. Çmimet në njësi nuk janë më të larta në krahasim me të tjerët. Pra, si paketë është më e madhe sepse kemi më shumë shërbime apo trajtime që bëhen”, tha Bilall Kasami.
Po ashtu, vendosja e një çipi dhe numri në Strugë kushton 108 denarë, ndërsa në Tetovë 1 087 denarë?
Kasami premtoi se në brifingun e ardhshëm do të jepen sqarime edhe për këtë, duke theksuar se për të më e rëndësishme është zgjidhja e problemit.
“Duhet të marrim çmimoren edhe ne dhe më brifingun e radhës ti kemi këta si analizë dhe t’i diskutojmë bashkë. Pra, përsëri, ne jemi të fokusuar në zgjidhje të problemit. Ajo që është si situatë në Tetovë, nuk kemi grupe të qenve, turma të qenve, të cilët paraqesin rrezik për qytetarët”, deklaroi Kasami.
I dërguam pyetje edhe kompanisë “Ana Agro”, që e ka fituar tenderin, se sa qen endacakë janë trajtuar deri më tani gjatë vitit 2025 dhe sa gjatë vitit 2026, por deri më sot nuk kemi marrë asnjë përgjigje.



