Ambasada e Kosovës në Washington, D.C. ka njoftuar se kryetarja e kryeqytetit amerikan, Muriel Bowser, ka marrë vendim që data 17 shkurt të njihet zyrtarisht si Dita e Pavarësisë së Kosovës në Washington, D.C..
Sipas njoftimit të Ambasadës, ky vendim përfaqëson një vlerësim të progresit të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, veçanërisht në avancimin e sundimit të ligjit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe forcimin e rolit të saj në arenën ndërkombëtare.
Në një postim të publikuar në rrjetin social X, Ambasada e Kosovës ka shprehur mirënjohje për këtë vendim, duke falënderuar kryetaren Bowser për njohjen zyrtare të 17 shkurtit si ditë feste në kryeqytetin amerikan.
Ky hap shihet si një tjetër dëshmi e marrëdhënieve të ngushta ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe e mbështetjes së vazhdueshme për shtetësinë dhe zhvillimin demokratik të vendit./KultPlus.com




