Shtetasit britanikë Lindsay dhe Craig Foreman janë dënuar me 10 vjet burg për akuzat për spiunazh në Iran.
Sekretarja e Jashtme britanike Yvette Cooper e ka cilësuar dënimin e tyre si “krejtësisht të tmerrshëm dhe krejtësisht të pajustifikueshëm”.
“Ne do ta ndjekim këtë çështje pa pushim me qeverinë iraniane derisa të shohim që Craig dhe Lindsay Foreman të kthehen shëndoshë e mirë në Mbretërinë e Bashkuar dhe të ribashkohen me familjen e tyre”, tha ajo.
Bëhet e ditur se çifti u arrestua në janar 2025 ndërsa udhëtonin me motor përreth botës dhe u ndaluan me akuzën e spiunazhit.
Por, Foremans të cilët po mbahen në burgun Evin të Teheranit, i mohojnë akuzat, shkruan skynews.
Familja e çiftit thotë se dënimi e vendos çështjen “në përputhje me ndalimet më të rënda të motivuara politikisht të shtetasve britanikë në Iran”.
Joe Bennett, djali i Lindsay Foreman, tha se çifti është “dënuar me 10 vjet burg pas një gjyqi që zgjati vetëm tre orë dhe në të cilin atyre nuk iu lejua të paraqisnin mbrojtje”.
“Ata i kanë mohuar vazhdimisht akuzat. Ne nuk kemi parë prova që mbështesin akuzën për spiunazh”, shtoi ai.
Ndryshe, dënimi vjen pas një paraqitjeje në gjykatë më 27 tetor 2025 para gjyqtarit Abolghasem Salavati në Teheran.



