Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Fluturimit të Njeriut në Hapësirë, e shpallur nga Kombet e Bashkuara për të përkujtuar momentin historik të 12 prillit 1961, kur Yuri Gagarin u bë njeriu i parë që udhëtoi në hapësirë me anijen “Vostok 1”.
Kjo ditë nderon arritjet më të mëdha të njerëzimit në eksplorimin e universit dhe zhvillimin e teknologjisë hapësinore.
Pas fluturimit të Gagarin, historia e hapësirës u shënua nga një sërë ngjarjesh të rëndësishme:
1969 – Misioni “Apollo 11”: Për herë të parë dy njerëz zbarkojnë në Hënë – Neil Armstrong dhe Buzz Aldrin.
1998 – Ndërtimi i Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor (ISS): Fillon një nga projektet më të mëdha të bashkëpunimit shkencor ndërkombëtar në orbitë.
2004 – “Rover-ët” në Mars (mjet motorik i telekomanduar, i projektuar për të udhëtuar në sipërfaqen e Marsit). Misionet “Spirit” dhe “Opportunity” zbulojnë prova të rëndësishme për historinë gjeologjike të planetit të kuq.
2020 e në vazhdim – Epoka komerciale e hapësirës: Kompani private si “SpaceX”hapin një fazë të re të fluturimeve njerëzore dhe furnizimeve në orbitë.
2022–2026 – Programi “Artemis”: NASA dhe partnerët ndërkombëtarë rikthehen me synimin për një prani të qëndrueshme në Hënë.
Kombet e Bashkuara theksojnë se eksplorimi hapësinor mbetet një simbol i bashkëpunimit global dhe i aspiratës së njerëzimit për të zgjeruar kufijtë e dijes dhe teknologjisë.
Sot, kjo ditë shërben gjithashtu si frymëzim për brezat e rinj që të angazhohen në shkencë, inxhinieri dhe inovacion, duke kontribuar në të ardhmen e eksplorimit të hapësirës. Atsh/ KultPlus.com



