Një grua frymëzuese që feston të hënën, 106-vjetorin e lindjes tha se sekreti i jetës së saj të gjatë është ngrënia e çokollatave, sipas “New York Post”.
Edith Hill, u zhvendos në një shtëpi kujdesi vetëm gjashtë vite më parë, pasi mbushi 100 vjeç, dhe shprehet se ngrënia e përditshme e çokollatave dhe “festat” e kanë bërë të ndihet e re dhe e shëndetshme.
Çokollata e saj e preferuar është “Cadbury Dairy Milk”, por ajo pranon se është e gatshme të provojë çdo ëmbëlsirë – veçanërisht gjatë Pashkëve.
Ish-sekretarja ka lindur më 3 mars 1919 dhe i ka mbijetuar dy luftëra botërore, ka parë kurorëzimin e pesë monarkëve dhe 23 kryeministra që kanë hyrë në “Downing Street”.
Pavarësisht dëshirës së saj për të ëmbëlsira, Edith nuk ka pirë kurrë duhan dhe ka konsumuar shumë pak alkool.
Kur u pyet për sekretin e jetëgjatësisë, ajo u përgjigj: “Të jesh e pavarur, të hash shumë çokollatë dhe të festosh.”
Edith, e lindur në Yorkshire, jeton aktualisht në shtëpinë e kujdesit “Aspen Lodge” në Skegness, Lincolnshire, ku stafi po planifikon një festë të veçantë për ditëlindjen e saj të hënën – përfshirë një tortë me dy kate me çokollatë.
Për të shënuar këtë përvjetor të veçantë, stafi ka nisur një thirrje që njerëzit t’i dërgojnë kartolina urimi, me synimin për të arritur në 106 kartolina – një për çdo vit të jetës së saj.
Kryepastruesja Anita Tindle tha: “Ajo ka marrë tashmë 40 kartolina, por jemi të vendosur të arrijmë në 106, për secilin nga vitet e saj të jashtëzakonshme”.
“Ajo është një zonjë vërtet e mrekullueshme, me karakter të fortë, dhe ende i bën të gjitha vetë. Është një në një milion. Mund të flasë pafund, është vërtet e jashtëzakonshme për moshën që ka”, tha ajo.
Edith, e cila ka një djalë, do të festojë me një festë me temë pranverore, ku dy këngëtarë do të interpretojnë hitet e saj të preferuara nga vitet ’40 dhe ’50.
Mbesa e saj, Anne Turner, 86 vjeçe, tha se tezja e saj ka qenë gjithmonë “shumë e përkushtuar ndaj punës”.
“I pëlqen të jetë në dijeni të çdo lajmi familjar dhe ka qenë gjithmonë shumë e pavarur, e sjellshme dhe plot dashuri”, tha ajo./atsh /KultPlus.com



