Ministria e Shëndetësisë njofton se propozim ligji për mbrojtje nga duhani është publikuar në Regjistrin Elektronik Kombëtar të Rregulloreve (REKRr/ ENER), ku të gjithë qytetarët dhe organizatat e interesuara mund të marrin pjesë në debatin publik para miratimit të tij.
“Me këtë ligj hapim një çështje thelbësore që prek drejtpërdrejt shëndetin dhe të ardhmen e fëmijëve dhe të rinjve tanë. Faktet janë të qarta dhe të pakontestueshme – duhani dhe nikotina mbeten shkaku kryesor i vdekjeve të parakohshme, ekspozimi ndaj tymit dhe aerosoleve dëmton edhe ata që nuk kanë zgjedhur të pinë duhan, ndërsa produktet e reja të nikotinës, aromat, marketingu agresiv dhe promovimi digjital janë të drejtuara pikërisht ndaj të rinjve. Prandaj, Ministria e Shëndetësisë ka përgatitur një Ligj të ri për mbrojtje nga duhani, qëllimi i të cilit nuk është ndëshkimi, por parandalimi, shëndeti publik dhe mbrojtja e kategorive më të cenueshme të qytetarëve”, vlerëson Azir Aliu, ministër i Shëndetësisë.
Sipas pr/ligjit, nëse ju kapin me cigare në dorë në vende ku është e ndaluar të pini, nëse paguani menjëherë gjobën, do t’ju kushtojë 100 euro. Brenda 8 ditëve, shuma rritet nga 150 deri në 300 euro, ndërsa me vendim gjyqësor, gjoba për shkeljen është tri herë më e lartë.
Në vend të parave, mund të kryeni edhe punë të dobishme për komunitetin. Për personat juridikë, në varësi të madhësisë së kompanisë, gjobat luhaten nga 2000 deri në 5000 euro.
Kjo parashikohet në projektligjin e Ministrisë së Shëndetësisë për mbrojtjen nga duhanpirja, i cili pritet të hyjë në fuqi më 1 mars. Ndalohet përdorimi i të gjitha llojeve të cigareve, përfshirë edhe ato elektronike që përmbajnë duhan dhe nikotinë, në të gjitha objektet e gastronomisë, kazinotë, bastoret sportive, institucionet shtetërore, kompanitë private, aeroporte, stacionet e autobusëve dhe hekurudhave.
Nuk do të lejohen të ndizni cigare as në stacione deri sa prisni autobus. Duhani do të jetë i ndaluar edhe në banesa dhe objekte të përbashkëta banimi. Para institucioneve shtetërore, spitaleve, çerdheve, shkollave dhe konvikteve studentore. Në dyqane, cigaret nuk duhet të jenë të dukshme, por të shiten sipas listës, ndërsa është i ndaluar shfaqja dhe reklamimi i cigareve, jo vetëm në televizion, por edhe në internet dhe podcast-e. Policia ka të drejtë t’ju gjobisë edhe nëse pini cigare në makinë ku ndodhet një fëmijë i mitur./tv21.tv



