1 në 5 të rinj në Britani pëlqen diktaturën

Një në pesë të rinj, të gjeneratës Z, në Britani të Madhe preferon diktaturën, sipas një ankete të re, transmeton “The Telegraph”.

Studimi ka gjetur se 18 për qind e të rinjve të lindur në periudhën 1997-2012, apo mes moshave 13 deri 28, mendojnë se sistemi më i mirë për të udhëhequr me efikasitet shtetin është një lider i fortë që nuk duhet të merret me zgjedhje. Te të rriturit pro këtij sistemi përqindja është 12.

Ndërkaq 14 për qind e të lindurve në periudhën 1981-1996, pëlqenin diktaturën. Ata nuk pajtoheshin se demokracia është sistemi më i mirë për të udhëhequr shtetin.

Të lindurit pas Luftës së Dytë Botërore, ata që tani janë në grupmoshën 60-80 vjeç, ishin gjenerata që më së shumti preferonte demokracinë. Vetëm 7 për qind e tyre e përkrahte sistemin autoritar.

Matja e FGS Global Radar ka treguar se të rinjtë shqetësohen më pak për populizmin sesa prindërit apo gjyshërit e tyre.

Në nivel global, rreth 60 për qind e të rriturve mendojnë se demokracia po dobësohet nga lëvizjet politike populiste, por kjo shifër ra në 49 për qind te ata të Gen Z.

Kjo anketë realizohet me intervista me liderë, ekspertë politikë, njerëz të botës së biznesit, politikës, akademive e gazetarë në SHBA, Kanada, e shtete anëtare të Bashkimit Evropian, Britania e Madhe dhe Japonia.

Në këtë pyetësor kanë marrë pjesë rreth 20 mijë njerëz në përgjithësi.

Diktatura është pushtet i pakufizuar shtetëror, që shpreh e mbron interesat e klasës sunduese dhe që ushtrohet me dhunë nga një njeri ose nga një grup njerëzish.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit