Zef Kolombi lindi më 9 mars 1907, në Sarajevë, në një familje shkodrane. Babai i tij, Gjoni, ishte pronar i një hoteli në Sarajevë, ndërsa e ëma, Stefania, ishte sllovene. Në vitin 1910 i vdes babai dhe një vit më vonë dhe nëna. Zefi në moshën 4-vjeçare, bashkë me motrën e tij Verën, kthehen në Shkodër tek gjyshja. Pas humbjes së gjyshes, për dy jetimët Kolombi kujdeset nuni i tyre, Sokrat Shkreli.
Në Shkodër mbaron shkollën fillore-jetimore të hapur nga austriakët, dhe tre vjet mëson në gjimnazin e jezuitëve. Më pas i përkushtohet pikturës, pasionit të tij, por me shumë vështirësi. Ai shkon në Itali, dhe fillon të punoi për të mbijetuar dhe ndërkohë viziton muzetë, galeritë e arteve dhe ekspozitat e pikturës. Nëpër këto institucione arti tërheq vëmendjen e rojeve dhe disa të rinjve të cilët e ndihmojnë për t’u regjistruar në një shkollë nate. Por, e largojnë nga Italia dhe ai kthehet sërish në Sarajevë, ku punon si ndihmës-këpucëtar. Pas kësaj, ai punon tri vjet pranë një dekoratori dhe gjatë kësaj kohe ai krijon veprat e para, si dhe kopje të klasikëve. Në moshën 18 vjeçare, Zef Kolombi kthehet në Shkodër, i përkushtohet artit të pikturës ku punon edhe si nëpunës në hotelin “Grand”.
Zef Kolombi ka pikturuar me materiale të tilla si beze, kanavacë, karton e kompensatë, ndërsa më së shumti vepra e tij është në vaj. Ka përdorur më shumë ngjyrën e kuqe, kafe, të gjelbrën e të bardhën. Vepra e Zef Kolombit ndodhet kryesisht në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë.
Dy vitet e fundit të jetës i kaloi i sëmurë nga astma dhe tuberkulozi, derisa u nda nga jeta, më 23 janar 1949. /Hejza/ KultPlus.com





