Kandidati i pavarur për Komunën e Gostivarit, Visar Ademi, në një intervistë për televizionin NTV, shpalosi vizionin e tij për menaxhimin financiar dhe qeverisjen lokale. Ai kritikoi ashpër keqmenaxhimin nga pushtetet e kaluara dhe u angazhua për një qasje transparente dhe të ndershme ndaj qytetarëve.
Tatimet, treguesi i parë i dështimit
Ademi reagoi ndaj deklaratës së ish-kryetarit Valbon Limani, i cili pranoi se vetëm 43% e tatimeve mbi pronën mblidhen në Gostivar.
“Kjo ose është paaftësi, ose mungesë vullneti për të mbledhur të ardhura për komunën. Tatimi është baza e çdo shërbimi. Si mund të zhvillohet qyteti kur një pjesë e madhe e qytetarëve nuk kontribuojnë, dhe askush nuk mban përgjegjësi për këtë?” u shpreh Ademi.
Borxhi publik: 700–800 euro për çdo qytetar
Sipas tij, nga përllogaritjet financiare, çdo qytetar i Gostivarit mban mbi shpinë një borxh prej 700 deri në 800 euro, i krijuar nga keqpërdorimet e partive politike gjatë viteve.
“Ne kemi një problem të trashëguar që kërkon kohë dhe përkushtim për t’u zgjidhur. Mendoj se do të duhen 4 deri në 6 vite për ta shlyer këtë borxh,” tha Ademi, duke nënvizuar se menaxhimi i kujdesshëm financiar do të jetë prioritet i tij.
Fonde ndërkombëtare dhe partneritet me sektorin privat
Ademi deklaroi se nuk do të mbështetet tek pushteti qendror për çdo projekt.
“Do të punoj për të sjellë fonde ndërkombëtare dhe për të zhvilluar partneritete publiko-private, sepse mundësitë janë reale dhe shumë projekte mund të realizohen jashtë varësisë politike nga Shkupi,” tha ai.
Pastrim i komunës nga militantët partiakë
Një tjetër premtim i fortë i Ademit ishte largimi i militantëve partiakë nga administrata. Ai theksoi se në komunë ka rreth 500 persona që marrin paga pa punuar, të cilët janë punësuar përmes ndikimit partiak.
“Përmes pagave të dhuruara, partitë blejnë vota dhe mbajnë pushtetin. Kjo në Gostivar nuk do të ndodhë më,” tha Ademi.
Këshilli komunal dhe referendumi si mjet vendimmarrjeje
Në lidhje me bashkëpunimin me këshillin komunal, që është i ndarë mes dy koalicioneve politike, Ademi tha:
“Nuk kam logo partie, nuk kam militantë për të shpërblyer. Kam vetëm qytetarët. Nëse këshilli më bllokon, do t’i informoj qytetarët për çdo pengesë dhe arsyet e vërteta pas saj.”
Ai shtoi se, nëse zgjidhet kryetar, do të jetë hera e parë që një komunë në vend do të zbatojë referendumin lokal për çështje me interes publik.
“Partitë nuk kanë më ide – vetëm duan të sundojnë”
Në fund, Visar Ademi kritikoi modelin aktual të partive politike, të cilat sipas tij nuk përfaqësojnë më interesin e qytetarëve.
“Partitë e kanë humbur reputacionin. Nuk kanë ide, nuk kanë plane. Përpiqen vetëm të nënshrojnë qytetin dhe ta përdorin si trofe për pazare në zgjedhjet parlamentare,” përfundoi ai.
Ademi shfaqet si një zë ndryshe në fushatën për Gostivarin, me theks të qartë tek financat, llogaridhënia dhe kthimi i komunës në shërbim të qytetarit.