Më 15 tetor 2025, kandidati i pavarur për kryetar të Komunës së Gostivarit, Visar Ademi, prezantoi pesë zotimet kryesore të fushatës së tij, me fokus në transparencë, përfshirje qytetare dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Në një takim publik të mbajtur në sheshin qendror të qytetit, Ademi u zotua se do të luftojë korrupsionin dhe do të krijojë një administratë funksionale dhe të hapur. Sipas tij, punësimet partiake do të zëvendësohen me profesionistë të kualifikuar, ndërsa të gjitha shërbimet dhe proceset komunale do të dixhitalizohen për të garantuar llogaridhënie.
Në aspektin e mjedisit, ekipi i Ademit premtoi pastrim të menjëhershëm të qytetit dhe eliminim të deponive ilegale, duke investuar në menaxhim modern të mbeturinave për të garantuar një ambient të pastër dhe të sigurt për të gjithë.
Një tjetër prioritet i tij është trajtimi i çështjes së qenve endacakë. Për këtë, propozohet një qasje humane dhe efektive përmes sterilizimit, instalimit të gardheve me ultratinguj në zonat e banuara dhe funksionalizimit të qendrës ekzistuese për trajtimin e qenve.
Në fushën ekonomike, Ademi shpalosi planin për të mbështetur ndërmarrjet lokale dhe për të angazhuar diasporën në zhvillimin ekonomik të Gostivarit, duke e shndërruar atë në një qendër rajonale të biznesit dhe inovacionit.
Ai theksoi se “kthimi i pushtetit te qytetarët” do të realizohet përmes referendumeve lokale dhe konsultimeve publike për vendimet kyçe. Për më tepër, ai premtoi një model unik llogaridhënieje: çdo vit, qytetarët do të kenë mundësinë të vlerësojnë punën e tij. Nëse nuk marrin miratimin e qytetarëve, Ademi u zotua se do të dhurojë pagën e tij për familjet në nevojë.