Në një nga momentet më mbresëlënëse dhe krenare për shqiptarët kudo në botë, Samantha Shkreli Sarelli, vajza me origjinë shqiptare që mban kurorën e Miss Globe USA 2025, kur ajo interpretoi në shqip këngën e Skënderbeut, në nder të prindërve të saj dhe të mbarë diasporës shqiptare.
Me një ndjeshmëri të veçantë dhe një zë të ngrohtë, ajo solli në skenën e bukurisë globale një këngë që mishëron krenarinë kombëtare dhe kujtesën historike të shqiptarëve.
Në një postim prekës në rrjetet sociale, Samantha shkroi:
“Doja një këngë me kuptim, që të lidhej me rrënjët e mia dhe me gjakun tim shqiptar. Kjo këngë flet për Skënderbeun, heroin që luftoi për popullin shqiptar dhe është arsyeja pse Shqipëria ekziston ende sot.”
Ajo pranoi se ky interpretim ishte jashtë zonës së saj të rehatisë, pasi kurrë më parë nuk kishte kënduar në shqip apo a capella, por, me ndihmën e trajneres së saj muzikore, Nika Veseli, ia doli të përçonte me forcë e ndjenjë atë që e quajti “kënga e zemrës”.
Samantha Shkreli Sarelli, e lindur dhe rritur në Shtetet e Bashkuara, është një shembull frymëzues i brezit të ri shqiptaro-amerikan. Në vitin 2020 ajo mbante titullin “Miss Connecticut Teen USA”, ndërsa sot, me kurorën e Miss Globe USA 2025, ajo po ngjitet në një tjetër shkallë të suksesit ndërkombëtar.
Në një intervistë për Albinfo.ch, Samantha shprehet: “Titulli im nuk ka të bëjë vetëm me bukurinë apo me modelimin. Ka të bëjë me ndikimin. Me mundësinë për të ndihmuar të tjerët dhe për të qenë zë për ata që nuk dëgjohen.”
Përtej skenës, Samantha është e përfshirë në fushata ndërgjegjësimi kundër trafikimit njerëzor, një çështje që e konsideron “plagë të njerëzimit”. E zgjuar, e përulur dhe plot energji rinore, ajo përpiqet të ndërthurë elegancën me misionin shoqëror, duke dëshmuar se bukuria merr kuptim vetëm kur shërben për të mirën.
Rrënjët shqiptare dhe krenaria e gjakut
Me origjinë nga Fraskanjeli / Amulli i Poshtëm (Marrçinajt), në komunën e Ulqinit, Samantha është bijë e një familjeje me rrënjë të thella shqiptare. Prindërit e saj, zoti dhe zonja Nikollë Shkreli, janë figura të njohura të komunitetit shqiptar në SHBA dhe lektorë në Kishën “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork.
Ajo flet gjuhën shqipe, e njeh mirë kulturën e prejardhjes së saj dhe nuk harron të përmend shpesh se “është amerikane nga lindja, por shqiptare nga zemra”. Gjyshja dhe daja i saj jetojnë ende në Shkodër, vend që ajo e quan “rrënjë e shpirtit tim”.
Një moment i vogël, por domethënës, i përmendur nga një bashkëbisedues në një event të Miss Globe, e përshkruan bukur këtë shpirt: “Kur e pashë Samanthën me flamurin amerikan në dorë, i kërkova një foto, duke i thënë me shaka se doja të kisha një kujtim me një amerikane, ‘që ta mbaj mirë me Trump’. Ajo qeshi dhe më tha: ‘Jam amerikane nga lindja, por shqiptare nga zemra.’”
Një zë i ri që bashkon dy botë
Samantha Shkreli Sarelli është sot një zë i ri që bashkon dy botë – Amerikën e mundësive dhe Shqipërinë e shpirtit. Me hijeshi, përulësi dhe vetëdije për misionin që mban, ajo është kthyer në një ambasadore të vlerave dhe identitetit shqiptar përtej kufijve.
Në çdo hap të saj, ajo dëshmon se bukuria e vërtetë nuk qëndron vetëm në pamje, por në kurajën për të qenë vetvetja, në dashurinë për rrënjët dhe në forcën për të përfaqësuar me dinjitet një komb të vogël me shpirt të madh.