Skandalet e nepotizmit dhe keqpërdorimit të detyrës në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, nuk kanë të ndalur!
Së fundit, edhe sekretari i institutit, Blerim Qaili ka punësuar bashkëshorten e tij në këtë Institut.
Sipas informatave dhe dokumenteve që ka siguruar Ora24.tv, sekretari Qaili, e ka transferuar bashkëshorten e tij në ITSHKSH, nga Inspektorati shtetëror për pylltari dhe gjueti.
Nga ITSHKSH, kërkuam qëndrim zyrtar lidhur me këtë veprim, duke pyetur konkretisht:
– Cilat janë arsyet e transferit, që sekretari të transferoj bashkëshorten e tij?
– Pse pikërisht në Kabinetin e tij?
– A janë marrë parasysh konfliktet ligjore?
– Pse pikërisht është punësuar bashkëshortja e Sekretarit Blerim Qaili?
Megjithatë për momentin nuk kemi përgjigje konkrete nga Instituti.
Ju rikujtojmë, se kohë më parë zbuluam edhe informata të tjera të nepotizmit dhe keqpërdorimit të detyrës në ITSHKSH, nga drejtori Skënder Asani i cili në këtë institucion ka punësuar katër familjar të afërt të tij dhe atë – vëllaun si ARKIVIST, djalin e vëllaut si ROJTAR, burrin e motrës si MIRMBAJTËS, bashkëshortin e mbesës në sektorin e IT-së.
Po ashtu publikuam edhe dëshmi të tjera, se si drejtori Skënder Asani, ka hapur edhe Organizatë Joqeveritare, ku qëndron si kryetar dhe përmes së cilës ka marrë fonde nga institucionet tjera të shtetit.
Për të gjitha këto, ka hapur lëndë edhe Komisioni Shtetëror për Parandalimi e Korrupsionit, ose siç njihet komisioni për Anti-Korrupsion!
Sot nga ky komision na thanë, se vazhdojnë të hetojnë punën e drejtorit Skënder Asani dhe të Institutit, ndërsa dinamika e hetimit po ec sipas gatishmërisë së institucioneve përkatëse të cilat duhet ti japin informatat e duhura.
Shpresojmë se institucionet nga të cilat kërkohen dokumente, do të jenë transparente dhe do ti dorëzojnë dokumentet e duhura që Komisioni për Anti Korrupsion të mund të sjellë konstatim të saktë, sido që të jetë ai./ora24.tv