Presidenti amerikan Donald Trump dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ranë dakord në një takim në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën, se SHBA-të do të punojnë për të ulur eksportet e naftës së Iranit në Kinë, raportoi Axios, duke cituar dy zyrtarë amerikanë të informuar për këtë çështje.
“Ne ramë dakord që do të bëjmë presion maksimal kundër Iranit, për shembull, në lidhje me shitjet e naftës iraniane në Kinë”, raportoi Axios të shtunën, duke cituar një zyrtar të lartë amerikan, transmeton Telegrafi.
I pyetur në lidhje me raportin, ministria e Jashtme e Kinës tha të dielën se “bashkëpunimi normal midis vendeve i kryer brenda kuadrit të së drejtës ndërkombëtare është i arsyeshëm dhe legjitim, dhe duhet të respektohet dhe mbrohet”.
Kina përbën më shumë se 80% të eksporteve të naftës së Iranit. Çdo ulje në atë tregti do të thotë të ardhura më të ulëta nga nafta për Iranin.
Diplomatët amerikanë dhe iranianë zhvilluan bisedime mbi programin bërthamor të Iranit përmes ndërmjetësve omanë javën e kaluar në një përpjekje për të ringjallur diplomacinë, pasi presidenti amerikan pozicionoi një flotë detare në rajon, ndërsa ushtria amerikane përgatitet për mundësinë e operacioneve të qëndrueshme, disajavore kundër Iranit. /Telegrafi/



