Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, kërcënoi Bashkimin Evropian me vendosjen e tarifave prej 200% për verën, shampanjën dhe pijet e tjera që prodhohen në bllokun me 27 vende anëtare, pasi BE-ja vendosi një tarifë prej 50% ndaj uiskit amerikan.
Presidenti Trump u shpreh në një postim në median sociale Truth Social se BE-ja është “një ndër autoritetet më armiqësore dhe më abuzive të vendosjes së tarifave dhe taksave në Botë”. Ai tha se BE-ja u formua në vitin 1993 “për qëllimin e vetëm të shfrytëzimit të Shteteve të Bashkuara” nga pikëpamja ekonomike.
Më vonë, i pyetur nga një gazetar në Shtëpinë e Bardhë nëse mund të tërhiqej nga kërcënimet për tarifa ndaj aleatëve gjeopolitikë të Amerikës, Presidenti Trump tha se “na kanë shfrytëzuar prej vitesh, dhe nuk do të na shfrytëzojnë më. Jo, nuk do të tërhiqem aspak – për aluminin, apo çelikun, apo makinat”.
Gjatë muajit të fundit, Presidenti Trump është angazhuar në një luftë tarifash me partnerët më të mëdhenj tregtarë të Shteteve të Bashkuara – Meksikën, Kanadanë, Kinën dhe BE-në – në përpjekje për të ndalur, siç thotë ai, fluksin e drogave, në veçanti të fentanilit, drejt Shteteve të Bashkuara nga Meksika dhe Kanadaja, dhe për t’i detyruar kompanitë të mbyllin operacionet e tyre jashtë vendit dhe për t’i zhvendosur ato në Shtetet e Bashkuara duke krijuar më shumë vende pune për amerikanët.
Të mërkurën, Presidenti Trump vendosi tarifa prej 25% ndaj eksporteve të çelikut dhe aluminit drejt Shteteve të Bashkuara nga 35 vende, përfshirë vendet e Bashkimit Evropian.Evropa u kundërpërgjigj me shpejtësi duke vendosur tarifa ndaj eksporteve amerikane me vlerë 28 miliardë dollarë drejt vendeve me marrëdhënie të afërta të hershme me Shtetet e Bashkuara, ndërsa Kanadaja vendosi tarifa të reja për rreth 20.7 miliardë dollarë mallra amerikane.