Presidenti Donald Trump ka kërcënuar se do të bllokojë hapjen e një ure që lidh Shtetet e Bashkuara me Kanadanë, derisa Uashingtoni të “kompensohet plotësisht për gjithçka” që, sipas tij, i ka dhënë fqinjit verior.
Ura Ndërkombëtare Gordie Howe, e cila lidh provincën kanadeze të Ontarios me shtetin amerikan të Michiganit, nuk do të hapet derisa Otava të “trajtojë Shtetet e Bashkuara me drejtësinë dhe respektin që meritojmë”, shkroi Trump në rrjetet sociale.
Sipas faqes zyrtare të projektit, ura financohet nga qeveria kanadeze, por do të jetë në pronësi publike të përbashkët të Kanadasë dhe shtetit të Michiganit. Nuk është e qartë se si Trump mund ta bllokojë hapjen e saj, por ai tha se negociatat do të fillojnë menjëherë, pa dhënë detaje të tjera.
E shtrirë mbi lumin Detroit, ura pritet të hapet për qarkullim, pas testeve dhe miratimeve formale, në fillim të vitit 2026. Ndërtimi filloi në vitin 2018, por projekti ka qenë objekt përplasjesh mes dy vendeve për më shumë se një dekadë. Sipas transmetuesit publik kanadez CBC, kostoja e projektit vlerësohet rreth 6.4 miliardë dollarë kanadezë (rreth 3.4 miliardë paund).
Në deklaratën e tij në platformën Truth Social, Trump tha se SHBA duhet të zotërojë “të paktën gjysmën e këtij aseti” dhe sugjeroi se Kanadaja zotëron si anën kanadeze ashtu edhe atë amerikane të urës.
Organizata që po zhvillon projektin, Windsor-Detroit Bridge Authority, është tërësisht në pronësi të qeverisë kanadeze, sipas faqes zyrtare të projektit.
Trump shkroi:
“Qeveria kanadeze pret që unë, si President i Shteteve të Bashkuara, t’i LEJOJ ata të ‘përfitojnë nga Amerika’!”
“Unë nuk do të lejoj hapjen e kësaj ure derisa Shtetet e Bashkuara të kompensohen plotësisht për gjithçka që u kemi dhënë atyre,” shtoi ai.
Familja Moroun, pronarët amerikanë të urës fqinje “Ambassador Bridge”, e cila gjithashtu lidh Detroitin me Kanadanë i kishte bërë apel Trumpit gjatë mandatit të tij të parë që të ndalonte ndërtimin e urës së re, duke argumentuar se ajo cenonte të drejtën e tyre ekskluzive për të mbledhur tarifa kalimi.
Në përgjigje të kësaj, Trump dhe kryeministri i atëhershëm kanadez Justin Trudeau patën lëshuar një deklaratë të përbashkët, ku ura përshkruhej si një “lidhje jetike ekonomike” mes dy vendeve.
Trump të hënën iu referua edhe mosmarrëveshjeve të fundit tregtare mes dy vendeve, duke thënë se “tarifat që Kanadaja na vendos për produktet e qumështit kanë qenë, prej shumë vitesh, të papranueshme”.
Ai shtoi gjithashtu se një marrëveshje tregtare e nënshkruar muajin e kaluar mes Kanadasë dhe Kinës do ta “shkatërrojë Kanadanë”.
Trump vazhdoi me një deklaratë ironike:
“Gjëja e parë që Kina do të bëjë është të ndërpresë TË GJITHË hokejin mbi akull që luhet në Kanada dhe të eliminojë përgjithmonë Kupën Stanley.”
Autoriteti kanadez i urës, zyra e kryeministrit të Ontarios dhe zyra e kryetarit të bashkisë së Detroitit nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.



