Tragjedia hekurudhore në Spanjë, shkon në 39 numri i viktimave pas përplasjes së dy trenave

Rritet numri i viktimave nga përplasja e dy trenave në Spanjë. Paraprakisht, autoritetet spanjolle kishin konfirmuar vdekjen e 21 personave, pasi të dielën një tren i shpejtë doli nga shinat dhe u përplas me një tren tjetër që po vinte në drejtim të kundërt në jug të Spanjës. Aksidenti ndodhi në afërsi të Adamuzit, provincë e Kordobës, që gjendet rreth 360 kilometra në jug të kryeqytetit, Madrid. Kreu i Qeverisë rajonale të Andaluzisë, Huanma Moreno, paralajmëroi për mundësinë e rritjes së numrit të viktimave, pasi njoftoi se disa nga të shtruarit në spital ishin në gjendje të rëndë.

“Kemi 75 persona të shtruar në spitale të ndryshme. Sidomos në Reina Sofia në Kordoba. 15 prej tyre janë në gjendje kritike. Aktualisht, po kryhen procedura kirurgjikale dhe dua të falënderoj të gjithë punonjësit e kujdesit shëndetësor. Kemi kërkuar një mobilizim masiv që ata të jenë gati për të ndihmuar”, tha Huanma Moreno, Qeveria rajonale e Andaluzisë.

Shkaku i përplasjes ende nuk dihet, tha ministri spanjoll i Transportit, Oscar Puente, duke shtuar se “është shumë e çuditshme” që dalja nga shinat ndodhi në një segment të drejtë të hekurudhës. Ky segment ishte rinovuar në muajin maj, shtoi ai.

“Shërbimet e emergjencës ende po punojnë, duke përfshirë zjarrfikësit, qeverinë e Andaluzisë, shërbimin e Gardës Civile. Njerëzit ishin të revoltuar kërkonin anëtarë të familjes ose miqtë e tyre që mund të kenë qenë në të njëjtën konvoj”, tha Injigo Vila, Drejtor i Emergjencave, Kryqi i Kuq Spanjoll.

Në dy trenat që u përplasën ndodheshin rreth 400 pasagjerë, shumica prej tyre spanjollë që po ktheheshin drejt dhe nga Madridi pas fundjavës. Nuk është e qartë se sa turistë mund të kenë qenë në bordin e dy trenave, pasi që janari nuk është sezon pushimesh në Spanjë.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit