3.8 C
Skopje
Wednesday, October 29, 2025

Toshkovski: Opozita flet të pavërteta! Propozim Ligji i ri, po ndalon politizimin dhe mundëson profesionalizimin e policisë

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski ka reaguar pas akuzave të opozitës rreth Propozim Ligjit të ri për MPB-në!

Ai thotë se akuzat e opozitës janë të pabaza, pasi Propozim ligji i ri, përveç se pamundëson politizimin e policisë, rrit profesionalizimin fhe efikasitetin e saj.

Reagimi i plotë i ministrit Pançe Toshkovski:

“Në lidhje me pretendimet e rreme dhe insinuatat politike që opozita i plasoi sot lidhur me ndryshimet e propozuara në Ligjin për Punët e Brendshme, dua publikisht dhe në mënyrë të qartë të theksoj se bëhet fjalë për një shtrembërim tendencioz të fakteve me qëllim përfitimi politik, pa njohuri elementare mbi përmbajtjen dhe logjikën e zgjidhjeve të propozuara.

Projektligji jo vetëm që nuk hap derën për emërime dhe avancime politike, por përkundrazi, për herë të parë vendos mekanizma të qarta, të paanshme dhe objektive për zhvillimin profesional dhe përzgjedhjen e kuadrit udhëheqës në MPB.

Përkundër pretendimeve të opozitës, është ligjërisht e pamundur që një person pa përvojë pune të bëhet shef i një Sektori për Punë të Brendshme. Neni 63, paragrafi 1 i Projektligjit për Punët e Brendshme e përcakton qartë se një person pa përvojë pune mund të emërohet vetëm në pozicionin më të ulët hierarkik në kategorinë “ekzekutues”, konkretisht në pozitën “i ri”. Edhe në rast se personi ka përvojë pune, por jo në fushën përkatëse profesionale, sipas paragrafit 2 të të njëjtit nen, përsëri është e paraparë që të emërohet vetëm në pozitën më të ulët – gjë që më parë nuk ka qenë rast dhe kemi qenë dëshmitarë të rasteve kur persona me përvojë të papërshtatshme janë emëruar direkt në pozita të larta në MPB.

Në sistemin e ri të karrierës ekzistojnë vetëm pesë pozita në kategorinë “ekzekutues”, dhe kalimi nga një pozitë në tjetrën është i kufizuar, pra, është i mundur vetëm një “kërcim” maksimal prej dy pozicionesh më lart – që paraqet rregulla më të rrepta krahasuar me ligjin aktual, ku janë të mundshme tri kërcime. Hierarkia është përcaktuar qartë, pa hapësirë për interpretime arbitrare, dhe për herë të parë parashihet edhe një Listë e fushave dhe punëve të afërta, me ç’rast sigurohet transparencë dhe mobilitet i drejtë në sistem.

Ajo që është posaçërisht e rëndësishme është se për herë të parë, që një person të avancohet në kategorinë “punonjës udhëheqës”, është e detyrueshme që ai të ketë përfunduar trajnim dhe të ketë kaluar testin për udhëheqje – kusht i përcaktuar në nenin 104 të Projektligjit. Ky test ka karakter eliminues dhe do të mundësojë përzgjedhje të vërtetë sipas kapacitetit, jo sipas vullnetit politik.

Për më tepër, Akti për sistematizimin tashmë përmban parimin e gradacionit, që nënkupton se për çdo pozitë më të lartë udhëheqëse kërkohet përvojë më e madhe pune, sipas vendosjes hierarkike. Pa përmbushjen e kushteve, asnjë i punësuar nuk mund të promovohet në pozitë udhëheqëse. Prandaj, e përsëris se teza se persona pa përvojë pune do të bëhen shefa është plotësisht e pavërtetë dhe e pabazë ligjore.

Sa i përket përzgjedhjes së drejtorit të Byrosë për Siguri Publike, në vend që të ketë zbutje të kritereve, vendoset një kriter më i rreptë. Për herë të parë, në ligj përcaktohet qartë se kandidati duhet të ketë së paku 12 vite përvojë pune ekskluzivisht në fushën e punëve policore – gjë që garanton se në këtë funksion kyç mund të emërohet vetëm një person me përvojë të thellë profesionale në polici.

Sa i përket funksionit të zëvendësdrejtorit të Byrosë për Siguri Publike, bëhet fjalë për një zgjidhje sistemore me një qëllim të qartë dhe racional për sigurimin e vazhdimësisë në menaxhim dhe funksionim të pandërprerë të institucionit në situata kur drejtori mungon ose është i pamundur të kryejë detyrën e tij. Kjo nuk është emërim politik, as dublim i kompetencave, por vendosje e një mekanizmi të shëndoshë dhe efikas të menaxhimit – që është praktikë e zakonshme edhe në institucione të tjera komplekse. Në kushte të sfidave të shtuara të sigurisë publike, është e rëndësishme të sigurohet stabilitet institucional.

Për çdo analizë serioze juridike, qasja elementare është që ligji të lexohet si tërësi dhe jo përmes nxjerrjes së dispozitave individuale të izoluara. Norma juridike nuk lexohet në mënyrë të izoluar, por në kontekst të të gjithë ligjit dhe strukturës së tij normative. Sinqerisht çudit fakti se si dikush përpiqet të nxjerrë përfundime përfundimtare juridike nga një nen i vetëm, pa marrë parasysh ndërlidhjen sistemore, ndërlidhjen reciproke të normave dhe logjikën thelbësore të rregullimit ligjor. Një qasje e tillë jo vetëm që është juridikisht e pasaktë, por në mënyrë të pashmangshme çon në interpretime të gabuara dhe shpesh manipulative.

Apeloj te opozita të ndalojë përhapjen e qëllimshme të të pavërtetave dhe të ngrihet mbi kalkulimet ditore politike kur bëhet fjalë për sistemin e sigurisë në vend. Ministria e Punëve të Brendshme do të vazhdojë të ndërtojë një sistem funksional, të drejtë dhe rezistent ndaj ndikimeve partiake – pikërisht ashtu siç e presin qytetarët”, ka shkruar ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski./Ora24.tv

Linku i reagimit:

https://www.facebook.com/share/p/16cvhJCp7i/

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit