7.8 C
Skopje
Tuesday, November 11, 2025

Të premten nis debati për buxhetin në Komision: 200 amendamente nga opozita

Për pushtetin, buxhet zhvillimor që nënkupton punë; për opozitën, politik e financiar në vend të ekonomik, që do të blejë vetëm paqe sociale.

Elmi Aziri nga Aleanca për Shqiptarët thotë se është jologjike që shpenzimet të rriten me 2,6 për qind, ndërkohë që shpenzimet kapitale ulen me 17,6 për qind, ndërsa parashikohet rritje ekonomike e ngjashme me vitet e kaluara.

Sipas opozitës, problem paraqet edhe struktura e shpenzimeve, e cila, siç thonë, qartazi nuk do të sjellë vlerë të shtuar.

“Nuk ka konsolidim fiskal, borxhi publik po rritet në kushte kur nuk ka krizë, ndërsa pushteti nuk arriti ta menaxhojë rritjen e çmimeve dhe inflacionin,” deklaroi Sanja Lukarevska nga LSDM.

Ky buxhet përfshin nevojat reale të institucioneve dhe mundëson kontroll më të mirë në shpenzime, tha Toni Jarevski nga VMRO-DPMNE. Sipas tij, buxheti për vitin 2026 karakterizohet nga disiplinë fiskale e theksuar dhe mjete të reja për transparencë dhe efikasitet më të madh në realizim. Jarevski theksoi se kjo qasje duhet të sjellë rezultate më të mira në drejtim të rritjes ekonomike dhe stabilizimit të inflacionit.

Buxheti, i cili parashikon 6,7 miliardë euro shpenzime, 6,1 miliardë euro të ardhura dhe deficit prej 3,5 për qind të BPV-së, do të hyjë në procedurë parlamentare të premten. Sipas dokumentit, rritja ekonomike është projektuar në 3,8 për qind, ndërsa inflacioni në 2,5 për qind.

Në të njëjtën kohë, kritika për rezultatet ekonomike të vendit kanë ardhur nga Bashkimi Evropian, përmes raportit të progresit, ku është evidentuar mungesa e disiplinës fiskale dhe mungesa e reformave strukturore.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit