Drejtoria e Policisë Financiare ka paraqitur kallëzime penale kundër tetë personave fizikë dhe një personi juridik për keqpërdorime të rënda në REK Manastir. Sipas autoriteteve, të dyshuarit kanë përfituar në mënyrë të jashtëligjshme 106.200.000 denarë përmes manipulimit të një tenderi publik dhe veprimeve të tjera të kundërligjshme.
Në qendër të skandalit është një kontratë për zhvendosjen e pajisjeve nga miniera “Oslomej” drejt kapaciteteve të REK Manastir. Dyshohet se procedura e tenderit u organizua në mënyrë që të favorizohej një kompani e vetme – “Markovski Company Borçe DOOEL” nga Manastiri – e cila më pas fitoi kontratën në mënyrë të paracaktuar.
Mes të kallëzuarve ndodhen ish-drejtorë dhe menaxherë të REK Manastir, si dhe drejtues të kompanisë përfituese. Ata përballen me akuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare, mashtrim në detyrë dhe shkelje të procedurave të prokurimit publik.
Sipas hetimeve, gjatë vitit 2023 është zbatuar një kontratë për zhvendosjen e pajisjeve industriale nga miniera “Oslomej” në drejtim të njësive të prodhimit në minierën Zhivojno, përkundër faktit që kjo teknologji nuk ishte parashikuar në projektin bazë dhe nuk i përshtatej kushteve të terrenit. Në vend të pajisjeve që kërkojnë transport të vazhdueshëm, si shirita transportues dhe ekskavatorë me rotor, duhej përdorur teknologji alternative (buldozerë, kamionë dhe ekskavatorë të zakonshëm).
Hetimi zbulon se gjatë zbatimit të kontratës, edhe pse puna nuk ishte kryer, janë firmosur procesverbale fiktive dhe janë paraqitur fatura për shërbime të parealizuara. Në këtë mënyrë, kompania ka përfituar në mënyrë të paligjshme mbi 106 milionë denarë, përfshirë TVSH-në.
Tre nga menaxherët e REK Manastir, së bashku me një zyrtar tjetër, dyshohen gjithashtu për mashtrim në detyrë, pasi konfirmuan në mënyrë të pavërtetë përfundimin e punimeve, duke u bazuar në dokumente të rreme.
Ndërkohë, kujtojmë se në muajin maj, Prokuroria Themelore Publike në Manastir ka ngritur aktakuzë ndaj shtatë personave të tjerë për dëme financiare në vlerë prej mbi 178 milionë denarësh, gjithashtu të lidhura me aktivitetet në REK Manastir. Përveç kësaj, janë paditur edhe tre zyrtarë nga Byroja e Prokurimit Publik, të cilët akuzohen për neglizhencë në detyrë dhe mosushtrim të mbikëqyrjes në procedurat e tenderimit.
Policia Financiare ka përfunduar se këto veprime kanë shkelur rëndë ligjin dhe kanë dëmtuar interesin publik dhe financiar të ndërmarrjes shtetërore.