Shqipëria eliminohet nga Polonia, mbyllet ëndrra kuqezi në “play-off”

Përfundon sot ëndrra kuqezi. Shqipëria është mposhtur 2-1 përballë Polonisë në gjysmëfinalet e fazës “play-off” në Varshavë.

Edhe pse kaluan të parët në avantazh me anë të Arbër Hoxhës në pjesën e parë të lojës, kuqezinjtë nuk mundën të ruanin rezultatin, pasi polakët do të përmbysnin gjithçka në pjesën e dytë.

Pak para se polakët të barazonin shifrat në 1-1 me anë të Robert Lewandowskit, Shqipëria do të humbiste dy raste të arta për të mbyllur ndeshjen, fillimisht me anë të Laçit e më pas me anë të Pilos.

Dy futbollistët kuqezi shpërdoruan në mënyrë amatoreske dy raste të pastra për të shënuar.

Ndërsa Polonia do të shënonte edhe golin e dytë me anë të Zielinskit, i cili me një gjuajtje potente nga jashtë zone nuk i dha asnjë mundësi Strakoshës për të reaguar.

Në fazën finale, Polonia do të përballet me Suedinë, e cila ka fituar 1-3 përballë Ukrainës.

Në sfidat e tjera, Danimarka ka poshtëruar Maqedoninë e Veriut 4-0, ndërsa Italia ka mposhtur 2-0 Irlandën e Veriut.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit