Rritje rekord prej 345% e vlerës së lejeve të ndërtimit në Maqedoninë e Veriut, leje për park me turbina ere në vlerë 500 milionë euro
Në muajin korrik 2025, vlera e projekteve ndërtimore që kanë marrë leje ndërtimi në Maqedoninë e Veriut u rrit me 345.3% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, njofton Enti Shtetëror i Statistikave.
Sipas të dhënave zyrtare, vlera totale e objekteve që kanë marrë leje ndërtimi arriti në 31.7 miliardë denarë (rreth 515 milionë euro). Kjo rritje e jashtëzakonshme vjen kryesisht si pasojë e miratimit të një projekti për park me turbina ere, me vlerë 500 milionë euro, që do të ndërtohet në komunat Shtip, Radovish dhe Karbinci.
Përveç këtij projekti energjetik të madh, gjatë korrikut janë planifikuar edhe 667 njësi banimi të reja në vend.
Në total, në korrik 2025 janë lëshuar 401 leje ndërtimi, që përfaqësojnë një rritje prej 7.2% krahasuar me korrikun e vitit të kaluar. Ndërkohë, në 57% të lejeve të dhëna, investitorët janë persona fizikë, duke treguar një interes të lartë të qytetarëve për investime në ndërtim.