Ministria e Energjisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut ka ndërprerë 45 koncesione në sektorin minerar, për shkak të mosrespektimit të dispozitave ligjore dhe standardeve ekologjike. Ministrja Sanja Bozhinovska deklaroi se 34 nga këto kontrata janë anuluar në mënyrë të njëanshme, ndërsa për 11 të tjera, marrëveshjet kanë skaduar dhe nuk janë rinovuar.
Sipas saj, ndërprerjet lidhen me një sërë shkeljesh – përfshirë mospagimin e tarifave të koncesionit, transferimin e paligjshëm të kontratave, si dhe shfrytëzimin e resurseve jashtë zonave të lejuara.
“Po zbatojmë kritere më të rrepta për të garantuar që shfrytëzimi i burimeve natyrore të jetë në përputhje me ligjin dhe në mbrojtje të mjedisit”, tha Bozhinovska në një takim me mediat. Ajo theksoi se nga janari deri më 1 tetor të këtij viti janë kryer 170 inspektime të jashtëzakonshme dhe 78 të rregullta në terren.
Një nga rastet e fundit është ndërprerja e kontratës me kompaninë “Melcam Engineering” nga Shkupi, e cila kishte fituar koncesion për nxjerrjen e gurit gëlqeror në zonën Lavinçevi, afër fshatit Straçincë në komunën e Gazi Babës. Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, bëri të ditur se ndërprerja erdhi për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve të kontratës dhe shkeljeve serioze ligjore.
Sipas tij, kompania kishte detyrim të siguronte një sasi minimale vjetore prej 25 mijë tonë materiali, por në vitin 2022 kishte nxjerrë vetëm 277 tonë, ndërsa në vitin 2023 nuk kishte asnjë aktivitet. Në vitin 2024, nxjerrja ishte vetëm 187 tonë. Për më tepër, kompania nuk kishte paguar tarifat për sasinë e nxjerrë në tri vitet e fundit.
Iniciativë për mbrojtjen e rubinit maqedonas
Ministria e Energjisë ka paraqitur gjithashtu një iniciativë për të shpallur rubinin vendas si pasuri minerale me status të mbrojtur. Sipas ministres Bozhinovska, qëllimi është që ky mineral të njihet zyrtarisht si trashëgimi natyrore kombëtare dhe të marrë mbrojtje ligjore për origjinën e tij.
Rubini – një formë e rrallë e mineralit korund – gjendet vetëm në zonat përreth Prilepit dhe Mariovës, dhe përfaqëson të vetmin rubin natyral të zbuluar në Evropë. Ngjyra e tij e kuqe karakteristike vjen si rezultat i pranisë së kromit në përbërje.
“Besojmë se rubini është një vlerë unike që duhet të ruhet dhe të promovohet si simbol i vendit tonë”, tha ministrja.