13.8 C
Skopje
Saturday, October 11, 2025

Qeveria vendosi: Çdo person i përfshirë në këtë ngjarje tragjike që ka kontribuar në rrezikimin e jetës njerëzore do të përgjigjet, 7 ditë zie në territorin e Maqedonisë, inspektim të jashtëzakonshëm të të gjitha objekteve të gastronomisë

Qeveria e nisi seancën e sotme me një minutë heshtje për t’u dhënë nderime viktimave të vdekur tragjikisht në ngjarjen e Koçanit, transmeton Ora24.tv.

Në seancën e sotme të jashtëzakonshme të Qeverisë, pas ngjarjes tragjike në Komunën e Koçanit, ku në një aksident të pafat gjatë një zjarri në diskotekë humbën jetën 59 persona të rinj dhe mbi 100 njerëz janë hospitalizuar dhe po u ofrohet kujdes mjekësor, Qeveria mori vendim për shpalljen e 7 ditëve zie në të gjithë territorin e shtetit. Çdo individ duhet të respektojë këtë vendim, pasi dënimet për mosrespektim do të jenë të rrepta. Gjatë këtyre ditëve, Ministria e Punëve të Jashtme do të hapë një libër ngushëllimi në kuadër të ministrisë për këtë tragjedi të madhe që ka ndodhur.

Gjithashtu, në seancën e Qeverisë u mor vendim për të obliguar Inspektoratin e Tregut shtetëror që në tri ditët në vijim të kryejë një mbikëqyrje të jashtëzakonshme mbi objektet gastronomike (kafene, klube nate, diskoteka dhe diskoteka në natyrë), në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe për gjetjet nga mbikëqyrja menjëherë të njoftojnë Qeverinë, që të përcaktohet gjendja faktike nëse ato funksionojnë sipas standardeve dhe a i përmbushin kushtet në përputhje me ligjet dhe rregulloret e shtetit.

Qeveria mori një vendim për aktivizimin e mekanizmit për kërkimin e ndihmës ndërkombëtare.

Po ashtu, Qeveria informon opinionin se në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe institucionet e tjera përgjegjëse për pastrimin e plotë të rastit, po mblidhen prova materiale dhe çdo person i përfshirë në këtë ngjarje tragjike dhe që ka kontribuar qëllimisht në rrezikimin e jetëve njerëzore do të paraqitet para organeve të drejtësisë dhe do të përgjigjet në përputhje me ligjin.

Askush nuk është mbi ligjin.

Shprehim ngushëllime të thella për familjet e viktimave, pasi në këtë ngjarje tragjike nuk ka fjalë që mund të lehtësojnë dhimbjen e humbjes së pazëvendësueshme.

I gjithë ekipi shëndetësor dhe mjekësor në të gjitha institucionet shëndetësore është në dispozicion dhe ofron kujdes shëndetësor dhe ndihmë për shërimin e shpejtë të të lënduarve.

Po ashtu, në këto momente jashtëzakonisht të vështira dhe të trishtuara për gjithë popullin maqedonas, kërkojmë që ngjarja të mos politizohet, në mënyrë që institucionet të mund ta hetojnë dhe zbardhin rastin në kohë dhe siç duhet.

Asnjë informacion nuk do të fshihet nga sytë e publikut./Ora24.tv

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit