Presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviç, e ka anuluar takimin e Procesit të Bërdo-Brionit, që ishte paraparë të mbahej në maj, duke theksuar se aktualisht nuk ekzistojnë kushtet për shkuarjen e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në Kroaci.
“Deklaratat dhe veprimet politike të presidentit të Serbisë, për të cilat kemi qenë dëshmitarë në ditët dhe javët e fundit, janë plotësisht në kundërshtim me qëllimin e Procesit të Bërdo-Brionit, dëmtojnë marrëdhëniet ndërshtetërore dhe rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në rajonin e Evropës Juglindore”, tha Millanoviç më 30 mars përmes një deklarate me shkrim.
Vuçiç u përgjigj se presidenti i Kroacisë nuk ka pasur nevojë që ta anulojë takimin për shkak të tij, por ka mundur që të ftojë “miqtë e tij nga Prishtina dhe Tirana”.
“Absolutisht ai ka të drejtë, unë nuk e kam vendin aty”, deklaroi Vuçiç, duke shtuar se askush nga Kroacia nuk do t’i tregojë atij se çfarë të thotë, ka raportuar agjencia Tanjug.
Procesi i Bërdo-Brionit është një nismë rajonale që mbledh liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe është iniciuar në vitin 2013 me qëllim që të nxisë bashkëpunimin dhe të përshpejtojë integrimet evropiane të rajonit.
Çfarë ka deklaruar Vuçiç?
Vuçiçi, pas zgjedhjeve lokale në Serbi më 29 mars, deklaroi se do të “verifikojë raportet e agjencive të sigurisë për ndikimin e mundshëm të vendeve të huaja në procesin zgjedhor”, duke përmendur “mbështetjen logjistike të një shteti fqinj”.
“Na kanë goditur nga rajoni edhe sot. Mund të shihnit çfarë bënin nga Zagrebi dhe sa të mëdha ishin përpjekjet e tyre. Në Kula [komunë në veri të Serbisë] kishte më shumë targa nga Zagrebi sesa nga komunat përreth. Dhe, nuk po flas vetëm për logjistikën e transportit, por para së gjithash për atë mediatike”, tha presidenti serb.
Pas shpërthimit të protestave antiqeveritare për shkak të vdekjes së 16 personave në Novi Sad në fund të vitit 2024, autoritetet në Serbi kanë akuzuar disa herë shërbimet sekrete kroate për organizimin e demonstratave, akuza që zyrtarët në Zagreb i kanë mohuar ashpër.
Nga zyra e Millanoviçit është bërë e ditur se Kroacia dhe Sllovenia, si anëtare të Bashkimit Evropian, e kanë iniciuar Procesin e Bërdo-Brionit me qëllim të përmirësimit të bashkëpunimit të ndërsjellë dhe përshpejtimit të procesit të integrimit evropian të vendeve të Evropës Juglindore.
Si bashkëkryesues i Bërdo-Brionit, Millanoviç i ka njoftuar krerët e shteteve pjesëmarrëse se ka vendosur të anulojë takimin e planifikuar në Kroaci.
Përveç presidentëve të Kroacisë, Sllovenisë dhe Serbisë, në Procesin e Bërdo-Brionit marrin pjesë edhe udhëheqësit e Kosovës, Malit të Zi, Bosnjë dhe Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviç, deklaroi se nuk ka dijeni për vendimin e Millanoviqit për anulimin e samitit. Duke folur për deklaratat e Vuçiçit, ai tha se bëhet fjalë për “dy koncepte të rreme”.
“Njëra është se Kroacia po ndërhyn në zhvillimet e brendshme politike të Serbisë dhe se është një nga nxitësit ose bashkëorganizatorët e ‘revolucionit portokalli’. Tjetra, se [Kroacia] po krijon një aleancë ushtarake me Shqipërinë dhe Kosovën kundër Serbisë. Të dyja këto çështje janë plotësisht të pasakta”, deklaroi ai për gazetarët.
Kosova, Kroacia dhe Shqipëria kanë nënshkruar më 2025 një deklaratë për bashkëpunim në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Serbia e ka cilësuar këtë bashkëpunim si aleancë sulmuese kundër saj dhe serbëve.
Edhe ministri i Punëve të Jashtme të Kroacisë, Gordan Gërlliç Radman, i ka hedhur poshtë pretendimet e zyrtarëve serbë për ndërhyrje kroate në zgjedhjet lokale në atë vend, duke i cilësuar ato si “teori konspirative”.
“Më duket se qytetarët e Serbisë e kuptojnë se kjo nuk ka lidhje me Kroacinë”, tha ai, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
Ai shtoi se politikanët në Serbi nuk duhet të merren me “trillime”, por me reforma dhe përmbushjen e kritereve për përparim në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Tensionet e fundit mes Serbisë dhe Kroacisë u nxitën edhe pasi Beogradi bleu raketa nga Kina, gjë për të cilën Pllenkoviç tha më 13 mars se i kishte shkruar sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë e ka futur gjithashtu Kroacinë në listën e vendeve që duhen vizituar vetëm “në raste të domosdoshme”, duke përmendur si arsye “incidentet gjithnjë e më të shpeshta, tensionet dhe rrethanat e pafavorshme të sigurisë”, pa specifikuar se për cilat ngjarje bëhet fjalë./ REL



