17.8 C
Skopje
Thursday, October 9, 2025

Presidenti Erdoğan përshëndet marrëveshjen e armëpushimit në Gaza

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka përshëndetur marrëveshjen e armëpushimit në Gaza midis Izraelit dhe grupit palestinez Hamas, transmeton Anadolu.

“Jam thellësisht i kënaqur që bisedimet Hamas-Izrael, të mbajtura në Sharm el-Sheikh, në të cilat kontribuoi edhe Turqia, kanë përfunduar me një armëpushim në Gaza”, tha Erdoğan në platformën turke të mediave sociale NSosyal.

“Dua të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për presidentin e SHBA-së, Trump, i cili demonstroi vullnetin e nevojshëm politik për të inkurajuar qeverinë izraelite të pranojë një armëpushim dhe për vendet tona vëllazërore Katarin dhe Egjiptin për mbështetjen e tyre të rëndësishme në arritjen e marrëveshjes”, shtoi ai.

Erdoğan theksoi se Ankaraja do të monitorojë nga afër zbatimin e rreptë të marrëveshjes së armëpushimit dhe do të vazhdojë të kontribuojë në proces.

Turqia, tha presidenti Erdoğan, do të vazhdojë të shprehë mbështetje derisa “të krijohet një shtet i pavarur dhe sovran palestinez, me integritet të plotë territorial, mbi bazën e kufijve të vitit 1967, me kryeqytet Kudsin Lindor”.

“Me këtë rast, u shpreh përshëndetjet e mia më të përzemërta vëllezërve dhe motrave të mia palestineze, të cilët kanë duruar vuajtje të papërshkrueshme për dy vjet, duke luftuar për jetën dhe dinjitetin në kushte çnjerëzore, duke humbur fëmijët, nënat, baballarët, të afërmit dhe miqtë e tyre, dhe të cilët, pavarësisht të gjitha tragjedive që kanë duruar, nuk kanë kompromentuar qëndrimin e tyre të ndershëm”, tha Erdoğan.

Plani 20-pikësh, i njoftuar për herë të parë më 29 shtator, përfshin lirimin e të gjitha pengjeve izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë, një armëpushim, çarmatimin e Hamasit dhe rindërtimin e Gazës.

Që nga tetori i vitit 2023, sulmet izraelite kanë vrarë të paktën 67.200 palestinezë në enklavë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Bombardimet e pamëshirshme e kanë kthyer Gazën praktikisht në të pabanueshme, duke çuar në uri dhe përhapjen e sëmundjeve.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit