Bajo Topulli u arsimua në Stamboll që në moshën 11-vjeçare, ku brumoset me idetë përparimtare dhe patriotike të vëllezërve Frashëri, Samiut dhe Naimit, por edhe Jani Vretos.
Sipas këshillave të tyre ai shkon në Selanik, ku fillon një aktivitet të gjerë si propagandues i gjuhës shqipe. Më pas, në vjeshtën e vitit 1904, Bajon do ta shohim në Manastir, ku bëhet pedagog dhe nëndrejtor i gjimnazit të Manastirit. Bashkë me lëndët mësimore, nisi t’iu mësonte edhe gjuhën shqipe djemve të gjimnazit e të shpërndante libra në gjuhën shqipe, edhe pse ishte gjithnjë në shënjestër. Gjatë qëndrimit të tij në Manastir u ngrit “Komiteti për Lirinë e Shqipërisë”(1905), ku mblodhën patriotë shqiptarë. Disa muaj pas krijimit të komitetit, do të ishte vullnetari i parë, në të parën çetë çlirimtare, duke u quajtur “Garibaldi i Shqipërisë”.
Mori pjesë në Kongresin e Manastirit, madje ai u zgjodh në komisionin e ngushtë të Alfabetit, prej 11 vjetësh, ku ndër të tjerë bënin pjesë edhe At Fishta, Dom Mjeda, Mit’hat Frashëri, Sotir Peci, etj. Bajo Topulli ishte përkrahës i variantit të alfabetit me gërma latine, i cili u pranua si një nga dy variantet, bashkë me alfabetin e Stambollit, që të përdoreshin mes shqiptarëve. Kjo ngjarje e madhe u pasua me hapjen e shkollave dhe klubeve të gjuhës shqipe.
Pas Shpalljes së Pavarësisë për 15 vjet jetoi e punoi në Turqi, ku pati poste të larta drejtuese në kohën e Mustafa Qemal Ataturkut. Në vitin 1925 ai kthehet në Gjirokastër, ku e propozojnë për kryetar bashkie, të cilën edhe pse i sëmurë e drejtoi për tri vjet radhë. Gjatë kohës së drejtimit ndërmori një sërë reformash, të cilat lanë gjurmë dhe u bënë traditë dhe pjesë e bashkëjetesës qytetare në Gjirokastër.