Përcaktimi i prioriteteve , përcakton zhvillimin – Kjo është motoja e Konferencës vjetore Qendrore e Punës Ekonomike që u mbajt në Pekin nga e mërkura deri të enjten, ku u vendosën përparësitë për punën ekonomike në vitin 2026.
Presidenti kinez Xi Jinping në fjalën e tij në këtë konferencë, vuri në dukje se gjatë pesë viteve të fundit, janë përballuar në mënyrë efektive tronditjet e sfidat e ndryshme dhe janë promovuar arritjet e reja dhe të rëndësishme.
Megjithatë, zhvillimi ekonomik i Kinës ende përballet me shumë probleme të vjetra dhe sfida të reja, ndikimi i ndryshimeve në mjedisin e jashtëm po thellohet, kontradikta midis ofertës së fortë dhe kërkesës së dobët është e dukshme dhe ka shumë rreziqe të fshehura në fusha kyçe. Shumica e këtyre janë probleme që rrjedhin nga zhvillimi e transformimi dhe mund të zgjidhen nëpërmjet përpjekjeve të përbashkëta.
Puna ekonomike e vitit të ardhshëm, për sa i përket orientimit të politikave, duhet t’i përmbahet parimit të kërkimit të përparimit duke ruajtur qëndrueshmërinë, duke përmirësuar cilësinë dhe efikasitetin, duke shfrytëzuar efektet e integruara të politikave ekzistuese e të reja, duke shtuar përpjekjet për rregullime kundërciklike e ndërciklike dhe duke rritur efektivitetin e qeverisjes makroekonomike.
Konferenca Qendrore e Punës Ekonomike identifikoi gjithashtu detyrat kryesore për punën ekonomike të vitit të ardhshëm. Së pari, kërkesa e brendshme duhet të vijojë të jetë nxitësi kryesor dhe të ndërtohet një treg i fortë vendas. Së dyti, të vijojë zhvillimi i nxitur nga inovacioni dhe të përshpejtohet kultivimi e zgjerimi i nxitësve të rinj të rritjes. Së treti, të vazhdojë reforma dhe të forcohet dinamika e gjallëria e zhvillimit me cilësi të lartë. Së katërti, të vijojë hapja ndaj botës së jashtme dhe të promovohet bashkëpunimi me përfitime të përbashkëta në fusha të shumta. Së pesti, të vijojë zhvillimi i koordinuar dhe të promovohet integrimi urban-rural dhe lidhjet rajonale. Së gjashti, të vijojë promovimi i transformimit të gjelbër gjithëpërfshirës nën drejtimin e objektivave të “karbonit të dyfishtë”. Së shtati, t’i jepet përparësi jetesës së njerëzve dhe të bëhen përpjekje për të realizuar gjëra më praktike për njerëzit. Së teti, të vijojë ruajtja e arritjeve financiare dhe të zgjidhen në mënyrë aktive e të qëndrueshme rreziqet në fushat kryesore.
Ditët e fundit, disa organizata financiare ndërkombëtare i kanë rritur parashikimet e tyre për rritjen ekonomike të Kinës në vitin 2025. Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) pret që rritja e PBB-së së Kinës të arrijë në 5 % në vitin 2025 dhe kontributi i Kinës në rritjen ekonomike globale pritet të mbetet rreth 30 % në vitet e ardhshme.
Edhe Banka Botërore publikoi Përditësimin e saj të fundit Ekonomik të Kinës, duke e rritur parashikimin për rritjen e ekonomisë kineze në vitin 2025 me 0.4 pikë përqindjeje krahasuar me raportin e mëparshëm.
Njëkohësisht, kërkesa nga vendet në zhvillim mbështeti eksportet. Banka Aziatike e Zhvillimit (ADB) gjithashtu e rriti parashikimin e saj për rritjen e Kinës në vitin 2025 me 0.1 pikë përqindjeje në Perspektivën e Zhvillimit Aziatik 2025 të publikuar të mërkurën. Raporti parashikon që ekonomitë në zhvillim në rajonin e Azi-Paqësorit do të rriten me 5.1 % këtë vit, nga 4.8 % që ishte parashikimi në shtator.









