Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut e nisën sot një fushatë të vetëdijësimit të të rinjëve të vendit për rrezikun nga armët.
“Fushata përqendrohet në rreziqet e keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta dhe promovon zgjidhjen e konflikteve pa dhunë, empatinë dhe përgjegjësinë midis të rinjve,” tha OSBE në një komunikatë për shtyp me rastin e nisjes së fushatës e cila do të zgjasë deri në Prill.
“Fushata dërgon një porosi të qartë: jeta nuk rifillon. Armët nuk janë lojë. Qëndroni larg. Përmes vizitave në shkolla, mesazheve video dhe angazhimit publik, synon t’i ndihmojë të rinjtë të njohin rreziqet dhe pasojat e pakthyeshme të abuzimit me armë, duke i inkurajuar ata të bëjnë zgjedhje të rrënjosura në vetëkontroll, respekt dhe pjekuri,” janë elementet kryesore të fushatës, sipas komunikatës.
“Kjo fushatë i vendos të rinjtë në qendër të një mesazhi të thjeshtë, por të rëndësishëm: armët nuk janë lojë dhe dhuna mund të ndryshojë jetë përgjithmonë. Individët dhe komunitetet janë më të sigurta dhe më të forta duke zgjedhur dialogun, respektin dhe përgjegjësinë,” citohet të ketë thënë në komunikatë kreu i zyres së OSBE-së në Shkup, Ambasadori Kilian Wahl, me rastin e hapjes së fushatës.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, tha me rastin se “fëmijët duhet të edukohen që në moshë të vogël se nuk ka asgjë tërheqëse në mbajtjen e armëve”.
OSBE tha se fushata do të vazhdojë gjatë gjithë marsit dhe prillit me vizita në shkolla në të gjithë vendin, të shoqëruara me përmbajtje online që synon ndërtimin e një kulture më të fortë të mosdhunës midis brezave të rinj.



