Veprimtari i çështjes kombëtare dhe nipi i heroit Zahir Pajaziti, Ismet Avdullahu, ka rrëfyer në një emision televiziv për ditët të jetës së Zahir Pajazitit dhe dyshimet për pritën që ai mund të ketë rënë si pasojë e spiunazhit.
Në bisedën e tij, Avdullahu ka treguar për takimin e vetëm që Pajaziti kishte pasur me Nait Hasanin,
Ai ka folur për komunikimet telefonike me Ali Ahmetin, të cilit i kishte shprehur dyshimet se Naiti mund ta kishte spiunuar heroin tek forcat serbe.
Zahiri e ka pasur një banesë këtu në Prishtinë, që e kanë ditur pak shokë faktikisht; e kanë ditur ata shokë me të cilët kanë vepruar dhe kanë qenë shumë të afërt, d.m.th. i kanë pasur edhe sendet aty. Ka kaluar mirë, nuk ka pasur ndonjë rrezik dhe, pasi është kthyer, është takuar njëherë me Naitin, Nait Hasanin. Më nuk është takuar. (Po flas për periudhën kah ditët e fundit), sepse ne përditë jemi dëgjuar në telefon. Pa folur njëherë në mëngjes a në mbrëmje nuk ka ndodhur, vetëm sa për ta ditur “si je, a je mirë” dhe kaq. Po flas gjithnjë për periudhën e fundit, pra kemi folur në telefon dhe më ka thënë: “Bal, ai djali nuk është, unë nuk e kam pa më”, dhe më pyeti se çka është puna me të.
Është publike që nuk ka qenë lidhja ime, ka qenë një lidhje e marrë përmes Ali Ahmetit. Alia ma ka prezantuar; tash a ka qenë lidhje direkte e Aliut apo e dikujt tjetër nuk e di, por Aliu e ka prezantuar si lidhje të vetën. Dhe e kam thirrur Ali Ahmetin. I thashë: “Ali, si janë punët?”, më tha: “Mirë”. I thashë që “ai daja im më ka lajmëruar që ai shoku jonë (Naiti) nuk është andej dhe më trego ku gjendet”. Tha: “Jo, mirë është”. I thashë se e ka takuar vetëm njëherë dhe më nuk e ka takuar.
I thashë nëse ka ndodhur diçka, sepse nisën disa arrestime që neve faktikisht nuk na rrezikonin, sepse edhe pse e njoh nuk kam pasur punë dhe kontakte në këtë fushë. D.m.th. nuk ka rreziku Zahiri me shokë që ta arrestojnë shkaku i filanit. Unë doja ta dija, shkaku i dajës tim, se si është gjendja dhe i thashë Aliut që dua ta di, që të marr masa dhe të mos i lë në mjegull. Më tha që është mirë, e i thashë që nuk është mirë, sepse po të ishte mirë do ta takonte dhe do të bisedonte, por nuk e ka takuar e as nuk ka biseduar, përveç njëherë që e ka parë.
I thashë (Ali Ahmetit): Nëse ndodh diçka, ta dish që keni përgjegjësi, sepse nuk po më informon drejt siç duhet. Kur e pa ashtu, më tha: “Qe, të thërras edhe njëherë, po kujdesem”. E kemi mbyllur telefonin dhe unë e kam thirrur Zahirin. I thashë: “Kështu më tha Aliu, por nuk më la siguri, andaj duhet të kesh kujdes”.
Më pas ka thirrur ai (Aliu) në telefon; a është interesuar apo jo nuk e di, se ka qenë përgjegjësi e tij. Kemi folur rreth 20 minuta ose gjysmë ore në telefon dhe më tha (për Naitin): “Shëndosh e mirë është”. I thashë: “Tregom drejt: nëse vritet, e di që është vrarë; nëse e keni qit jashtë, e di që e keni qit; s’po na intereson, por faktikisht ai nuk është aty”. Dhe e kam thirrur prapë Zahirin e i kam thënë se kështu është puna: merrni masa, keni kujdes, se nuk na e kanë treguar realitetin.
Ai (Naiti) veç kishte qenë në burg. D.m.th. ditët e fundit ishin të tyre, pra nuk ka treguar: ose nuk e ka ditur, ose nuk ia kanë treguar; dmth është përgjegjësi e tij që nuk ka treguar sikurse që ka qenë realiteti.



