Aktualisht në Klinikën e Onkologjisë nuk kryhen analiza për tumor markerët. Sipas drejtorit të Fondit Shëndetësor, kjo nuk paraqet rrezik për pacientët, sepse vetëm 200 metra larg Onkologjisë, në Institutin e Biokimisë, kryhen analizat e njëjta dhe pikërisht aty realizohet edhe pjesa më e madhe e tyre. Deri tani në këtë institut janë bërë rreth 50 mijë analiza të tumor markerëve. Sasho Klekovski theksoi se numri më i madh i analizave lidhen me prostatën, me mbi 65 mijë testime të kryera deri në shtator, ndërsa për kancerin në vezore dhe kancerin e gjirit janë kryer mbi 20 mijë analiza.
“A mundet më mirë? Po mundet më mirë në dy drejtime. E para duhet të ketë udhëzime të qarta për pacientët kur laboratori nuk ofron shërbimet e kërkuara, pra të mos shëtitën pacientët, dhe e dyta duhet të racionalizohet përdorimi i tumor markerëve. Theksoj se pjesa më e vogël e këtyre tumor markerëve përdoren për diagnostikim, siç është analiza PSA e prostatës, ku duhet të bëhen më tepër analiza”, deklaroi Sasho Klekovski, drejtor i Fondit Shëndetësor.
Deri në shtator të këtij viti në nivel shtetëror janë kryer mbi 230 mijë analiza të tumor markerëve, ku fondit i kanë kushtuar mbi dy milionë euro.
“Nëse ka dy mijë e gjysmë pacientë kjo do të thotë se realizohen 10 mijë analiza në nivel vjetor…Çmimet për tumor markere janë të ndryshme pra këto rreth 250 mijë analiza kushtojnë mbi 2 milionë euro në shërbimet e faturave për fondin”, tha Sasho Klekovski, drejtor i Fondit Shëndetësor.
Klekovski informoi gjithashtu gjatë brifingut me gazetarët se nuk ka vonesa në pagesat e kapitacioneve për mjekët amë, të cilat janë rritur me 33 për qind. Ai theksoi se edhe pagesat për pushimin e lehonave kryhen rregullisht. /Alsat.mk






