Një kallëzim penal për arratisjen e ish-ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Blerim Ramadani, tashmë është deponuar në Prokurorinë Themelore Publike të Maqedonisë së Veriut. Padia i vë në shënjestër ministrin e Punëve të Brendshme të shtetit maqedon, Pançe Toshkovski, dhe drejtorin e Byrosë së Sigurisë Publike, Aleksandar Janev, të cilët akuzohen për “organizim kriminal” duke e lejuar arratisjen e Ramadanit për në Kosovë.
VLEN-i, koalicioni shqiptar që e udhëheq, bashkë me VMRO-në, Maqedoninë e Veriut, thotë se kallëzimin penal e ka bërë Arbër Ademi, nënkryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, që drejtohet nga Ali Ahmeti. Megjithatë, në një prononcim për Nacionalen, Ademi ka mohuar se ka dorëzuar kallëzimin penal, duke e quajtur këtë akuzë “gënjeshtër e njerëzve me lidhje të UDB-së”.
Ndonëse ende nuk i dihet autori, kallëzimi penal ekziston dhe është deponuar në Prokurorinë e Maqedonisë së Veriut. Në një përgjigje për Nacionalen, shërbimi për marrëdhënie me publikun i Prokurorisë Themelore Publike të Maqedonisë e ka konfirmuar ekzistencën e kallëzimit penal në lidhje me arratisjen e ish-ushtarit të UÇK-së.