Gjatë qëndrimit në Turqi, përkatësisht në Stamboll, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë takoi afaristë shqiptarë e me prejardhje shqiptare nga sektorë të ndryshëm që veprojnë në Turqi.
Zyra e Kryeministrit njofton se në takim janë diskutuar disa tema.
Tutje, në njoftim thuhet se kryeministri shprehu falënderimin dhe mirënjohjen për kontributin e vazhdueshëm e të rëndësishëm të mërgatës sonë në Turqi.
“Ai u bëri thirrje përfaqësuesve dhe pronarëve të bizneseve që të vijnë në Kosovë, të hulumtojnë mundësitë që ofron vendi ynë dhe të investojnë. Ai këtë thirrje e bëri duke u ofruar mbështetjen e Qeverisë bashkë me infrastrukturën ligjore dhe mekanizmat shtetërorë në mënyrë që investimi të jetë i sigurt dhe fitimprurës.
Kryeministri i falënderoi të gjithë të pranishmit për mikpritjen e ngrohtë dhe për angazhimin e rolin e tyre të rëndësishëm në krijimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, përveçse kontributin e vazhdueshëm për vendlindje si mërgatë.
Në këtë darkë, përkrah kryeministrit ishin edhe zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi, ambasadori i Kosovës në Turqi, Agon Vrenezi, Shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Enis Kervan.