Kujdes në trafik! Prej sot fillon zbatimi i sistemit ‘Qyteti i Sigurt’

Në Maqedoninë e Veriut nga sot ka hyrë në fuqi sistemi ‘Qyteti i Sigurt’ kamerat e të cilit kapin automatikisht shkeljet në trafik dhe menjëherë lëshon gjobat. Portalb.mk sjell një përmbledhje të asaj si do të funksionojë në praktikë ky sistem.

Ku zbatohet?

Në fazën e parë ‘Qyteti i Sigurt’ funksionon vetëm në Shkup, Tetovë, Kumanovë dhe në Korridoret 8 dhe 10.

Gjatë vitit 2026 parashihet që sistemi të fillojë të funksionojë në gjithë territorin e shtetit.

Megjithatë nuk ka ende datë konkrete se kur do fillojë në qytetet tjera.

Cilat shkelje detektohen?

Në fazën e parë, sistemi detekton katër shkelje në trafik:

  1. Tejkalim i shpejtësisë së lejuar;
  2. Kalimi në semafor të kuq;
  3. Parkim i parregullt;
  4. Pjesëmarrja në komunikacion me automjet të paregjistruar.

Cilat janë gjobat?

Gjobat për shkeljet në trafik fillojnë nga 15 euro deri në 500 euro si dhe ndalesa. Portalb.mk i vizualizoi të gjitha gjobat për secilën shkelje

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ku vijnë gjobat?

Qytetarët njoftimin e pranojnë në telefon përmes sms-ve dhe në adresën e-mail (të cilën pronari e ka dorëzuar gjatë regjistrimit).

Qytetarët pranojnë një link dhe aty është procesverbali ku shkruan se cila kundërvajtje, kur dhe ku është kryer, si dhe gjoba që duhet paguar.

Mesazhi vjen nga dërguesi “MVR-SC”, linku për procesverbalin ka formatin https://safecountry.mvr.gov.mk…, si dhe në tekst gjithmonë është e shënuar targa e automjetit.

Qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm sepse periudhën e fundit filluan të pranojnë edhe mesazhe të rreme kinse vijnë nga ky sistem.

Si paguhen gjobat?

Gjoba do mund të paguhet në mënyrë elektronike, në postë dhe në bankë.

Nëse pronari i automjetit e paguan gjobën brenda tetë ditëve, do ta paguajë vetëm gjysmën e saj.

Nëse ka kaluar afati prej tetë ditësh për ta paguar gjysmën e gjobës, qytetarët mund ta paguajë vlerën e plotë të gjobës së shqiptuar më së voni brenda tetë ditëve pas skadimit të afatit për pagesën e gjysmës, para procedurës së përmbarimit.

Nëse gjoba paguhet brenda këtyre afateve, atëherë nuk paguhen shpenzime shtesë.

Megjithatë, në rastin kur autori nuk do të pajtohet me kundërvajtjen, edhe procesverbali për kundërvajtje rrugore edhe urdhërpagesa për kundërvajtje do të dorëzohen në gjykatën themelore dhe atëherë procesverbali paraqet kërkesë për inicimin e procedurës kundërvajtëse.

Ndërkaq nëse bëhet fjalë për veprën penale „drejtim i pakujdesshëm i automjetit“, atëherë rastin do ta marrë përsipër prokuroria publike.

Shkeljet që do të kryhen me automjete me targa të huaja, MPB-ja ka sqaruar se shoferët nuk do të ndalohen gjatë daljes nga shteti, por nuk do mund të hyjnë përsëri në kufi pa mos e paguar gjobën.

Cilat janë tolerancat?

Nga 30 janari ka hyrë në fuqi rregullorja e re sa i përket tolerancave.

Deri në 50 km/h toleranca është 6 km/h. Shembull: në zonë 30 km/h, deri në 36 km/h nuk ka gjobë, nga 37 km/h dënoheni.

Nga 50 deri në 100 km/h toleranca është 9 km/h. Shembull: në zonë 50 km/h, deri në 59 km/h nuk ka gjobë, nga 60 km/h dënoheni.

Mbi 100 km/h toleranca është 12 km/h. Shembull: në zonë 100 km/h, deri në 112 km/h nuk ka gjobë, nga 113 km/h dënoheni.

Çështje të paqarta

Është njoftuar se sistemi do të regjistrojë edhe përdorimin e celularit dhe mospërdorimin e rripit të sigurimit. Megjithatë nuk ka ende afat konkret se nga kur do të zbatohet kjo.

Është njoftuar se sistemi do të dërgojë edhe fotografi, por mbetet e paqartë nga kur.

Problem tjetër mbetet edhe nëse sistemi do të jetë plotësisht funksional edhe në gjuhën shqipe. Deri tani mesazhet e dërguara kanë qenë vetëm në maqedonisht, ndërkaq edhe tabelat paralajmëruese në rrugë janë të vendosura vetëm në gjuhën maqedonase. Kryeministri ka thënë se do të bëhen përpjekje që njoftimet për kundërvajtjet nga projekti “Qyteti i Sigurt” të jenë në përputhje me Ligjin për Gjuhët.

Mbetet e paqartë ende se kur konkretisht sistemi do fillojë të aplikohet edhe në qytetet tjera.

Ankesa për infrastrukturë të dobët

Derisa sistemi po hyn në funksion, qytetarët kanë ankesa për infrastrukturën rrugore. Sipas disa prej tyre me të cilët ka biseduar Portalb.mk në Kumanovë dhe Tetovë, në disa vende nuk punojnë semaforët dhe nuk ka sinjalistikë rrugore adekuate për zbatimin e këtij sistemi. Ata thonë se ‘Qyteti i Sigurt’ i gjobit qytetarët pa ofruar kushtet infrastrukturore të nevojshme për siguri.

Përplasje politike

Sistemi ‘Qyteti i Sigurt’ hyri në fuqi pasi deputetët më 23 janar votuan për ndryshimet në Ligjin për Kundërvajtje.

Sipas pushtetit ky sistem do të rrisë sigurinë në trafik, ndërsa sipas opozitës ka kritika të ndryshme për mangësi të sistemit.

Në ndërkohë, në Gjykatën Kushtetuese janë dorëzuar dy nisma për këtë sistem, për të cilat gjykata pritet të vendosë periudhën në vijim.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit