Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim me Ministrin për Punë të Jashtme të Gjermanisë, Johann Wadephul, ku në fokus ishin marrëdhëniet bilaterale dhe zhvillimet rajonale e ndërkombëtare.
Gjatë takimit u diskutua për thellimin e bashkëpunimit mes dy shteteve, çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe për proceset integruese evropiane. Një pjesë e rëndësishme e bisedimeve iu kushtua zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe rolit të Procesit të Berlinit në forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe afrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me strukturat evropiane.
Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme që Gjermania i ka dhënë Kosovës në fusha të ndryshme, duke theksuar rëndësinë e partneritetit strategjik ndërmjet dy vendeve.
Ky ishte takimi i dytë bilateral mes tyre në muajt e fundit, pas vizitës që ministri Wadephul realizoi në Kosovë në nëntor të vitit të kaluar, vizitë e cila u vlerësua si hap i rëndësishëm për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe./KultPlus.com



