Lideri i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, nëse e fiton mandatin e ri për kryeministër, paralajmëron qasje shumë më të kujdesshme në përzgjedhjen dhe caktimin e resurseve njerëzore, të cilat do t’i udhëheqin institucionet.
Në një deklaratë për media, Kovaçevski tha se si kryeministër në kohën e krizës energjetike dhe ekonomike më shumë është fokusuar në menaxhimin e krizës sesa në zgjidhjen e sjelljeve personale të individëve në pushtet.
“A ishte sjellja e të gjithë zyrtarëve adekuate? Jo. Kishte prej tyre që u sollën në mënyrë të papërshtatshme me rastet politike dhe mjedisin politik. A kanë punuar shumë me mua ministrat, përfshirë edhe ministrat e BDI-së? Po, sepse kemi punuar në kushte të një krize të madhe ekonomike dhe energjetike dhe unë mund të shpreh vetëm fjalë lavdërimi për ministrin Bytyqi, i cili është nga partia ime, për Fatmir Besimin, Kreshnik Bekteshin, Azir Aliun që është një ekspert i lartë që i ka përgatitur ligjet reformuese në administratën publike dhe i dorëzoi në Kuvend”, tha Kovaçevski.