Ministria për Punë të Brendshme ka ngritur kallëzim penal ndaj N.J. (47) dhe T.I. (58), të dyja nga Shkupi, për shkak të dyshimeve të bazuara se kanë kryer veprat penale “keqpërdorim i vazhdueshëm i pozitës dhe autorizimit zyrtar” dhe “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës”. Ndaj pronareve të shtëpive të të moshuarve është caktuar masa e paraburgimit.
“Në periudhën nga viti 2022 e deri më sot, të dyja institucionet private nuk e kanë ushtruar veprimtarinë brenda kornizave të lejeve për punë – kanë strehuar më shumë persona se kapaciteti i lejuar, nuk kanë mbajtur dokumentacion të rregullt për shërbimet sociale, nuk kanë pasur dosje me dokumente profesionale për të gjithë banorët, nuk kanë mbajtur evidenca për mirëmbajtjen e higjienës personale të tyre dhe nuk kanë punësuar numrin e nevojshëm të kuadrit profesional në turne. Përveç kësaj, kanë pasur të punësuar persona pa dokumentacion pune të rregullt dhe nuk kanë siguruar katër vakte ditore me specifikime të qarta për ushqimet e shpërndara, siç kërkohej nga rregullat për funksionim dhe kushtet e përcaktuara nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve. Të gjitha parregullsitë janë konstatuar në procesverbalin e kontrollit të jashtëzakonshëm inspektues”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Sipas këtij dikasteri, personat në fjalë për shërbime që nuk i plotësonin standardet dhe kushtet ligjore, u kishin marrë shuma të konsiderueshme parash banorëve dhe familjarëve të tyre, duke përfituar çdo muaj rreth 2.232.000 denarë nga të dy objektet.
“Gjatë kontrolleve në të dy institucionet – njëra në rrugën “Rudo” në Butel dhe tjetra në rrugën “Kozara” në qendër të Shkupit – është konstatuar se të dyja të dyshuarat, në cilësinë e personave përgjegjës, kanë ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj banorëve, duke u shkaktuar atyre dhimbje fizike dhe vuajtje mendore, dhe i kanë ekspozuar ndaj trajtimit të ashpër, çnjerëzor dhe poshtërues. Në kundërshtim me të gjitha rregullat, në dhomat kishin strehuar bashkë burra dhe gra. Nuk kishte shtretër të mjaftueshëm për të gjithë, ndaj disa persona flinin në divane në dhomën e ditës ose nga dy veta në një shtrat të vetëm. Banorëve u shërbeheshin ushqime me produkte me afat të skaduar”, thuhet në njoftimin e MPB-së.